“Stop Usjes” paraqiti propozimin e saj për leje të integruar A për fabrikën e çimentos
Iniciativa qytetare “Stop Usjes” sot i dorëzoi Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor propozimin e saj për leje të integruar A për Fabrikën e çimentos. Iniciativa thotë se propozimi është hartuar në përputhje me rregulloret evropiane për industrinë e çimentos, si dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kufijtë e ndotjes, transmeton Portalb.mk.
“Ky dokument është rezultat i punës së përbashkët të qytetarëve, eko-aktivistëve dhe ekspertëve, me qëllim që kompania të zbatojë standardet më të larta dhe të fillojë të funksionojë si një fabrikë moderne dhe ekologjike çimentoje në shekullin e 21-të. Mesazhi ynë është i qartë – nuk ka më vend për vonesa dhe zhvendosje të përgjegjësisë. Shëndeti i fëmijëve dhe qytetarëve është në duart e institucioneve. Vendimi se çfarë lloj ajri do të thithim në 7 vitet e ardhshme është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Mjedisit”, theksuan ata nga “Stop Usjes”.
Ata thonë se më 11 mars, kompania TITAN Usje ka paraqitur kërkesë për rinovimin e lejes së punës të integruar A, por Ministria ende nuk e ka publikuar lejen brenda afatit të përcaktuar prej 7 ditësh, gjë që hap mundësinë që procedura të vazhdojë me shtesa dhe të zgjasë deri në 45-50 ditë. Sipas procedurës, kërkesa e Titan Usje do të publikohet së pari, e më pas do të mbahet seancë dëgjimore publike në të cilën nisma qytetare njoftoi se do të marrë pjesë aktive.
Kujtojmë se pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluar procedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit.
Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.