Stoltenberg sot viziton Sarajevën, Kosovën dhe Serbinë, nesër do të vijë në Shkup

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbërritur mbrëmë në Sarajevë, i cili fillon turneun e tij disaditor nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai sot do të bisedojë me përfaqësuesin e lartë për BeH, Christian Schmidt, pas së cilës do të takohet me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH, Borjana Kristo. Më pas është planifikuar që ai tu drejtohet edhe mediave, transmeton Portalb.mk.

Stoltenberg do të vizitojë edhe selinë e NATO-s në Sarajevë, ku do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Pas Bosnje-Hercegovinës, Stoltenberg vazhdon rrugëtimin drejt Kosovës, për takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Më pas ai do të vizitojë Serbinë, ku është planifikuar të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq, ndërsa turneun do ta përfundojë me një vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut.

Sipas njoftimeve, Stoltenberg duhet të arrijë në Shkup të martën, më 21 nëntor.

Në Shkup janë paralajmëruar takime me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, ndërsa ai do t’i drejtohet edhe deputetëve në Kuvend.

Kreu i NATO-s ditën e dytë të vizitës së tij në vend do ta nisë me një takim dypalësh me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, pas së cilës do të marrë pjesë në takimin joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni, të organizuar nga Maqedonia e Veriut.

Kujtojmë se më 30 tetor, Shkupin e vizitoi edhe kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen. Pas takimit me kryeministrin Kovaçevski, ajo tha se Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë drejt anëtarësimit në BE.

“Është e pabesueshme të shohësh përparimin që ka bërë Maqedonia e Veriut dhe vendosmëria për të ecur përpara është mbresëlënëse”, tha Von del Leyen.

“BE ka një histori të gjatë zgjerimi dhe respekti për çdo komb dhe respekt për diversitetin që ne përfaqësojmë. Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin e saj unik dhe gjuhën maqedonase”, tha kryetarja e KE-së.