ANALIZË: Para deputetëve të RMV-së katër ligje për huamarrje në vlerë prej 245 milionë euro

Katër kredi të reja me fuqinë e ligjit janë dërguar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për miratim, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Qeveria kërkon që ato të votohen me procedurë të shkurtuar. Çfarë përmbajnë dokumentet për këto kredi të reja, për çfarë do të shpenzohen dhe çfarë kamatash do të paguhen për to: 

Kredi nga Agjencia Franceze e Zhvillimit ADF në vlerë prej  50.000.000 euro

Nëpërmjet Bankës shtetërore për Zhvillim, Qeveria ka vendosur të marrë një kredi në vlerë prej 50.000.000 euro. Qëllimi i kësaj kredie, siç thuhet në tekstin ligjor, është të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që po përballen me probleme për shkak të krizës botërore energjetike dhe ekonomike. Kredia do të merret nga Banka për Zhvillim i RMV-së dhe shteti do të lëshojë garanci për të.

“Linja e kredisë do të përdoret për të mbështetur kompanitë për financimin e investimeve të gjelbra dhe investimeve me përgjegjësi shoqërore”- thuhet në dokumente.

Kredia do të tërhiqet në maksimum 10 këste, kurse shuma minimale e një kësti do të jetë 3.000.000 euro. Afati i shlyerjes është 15 vjet me një periudhë mospagimi (grejs periudhë) prej gjashtë vjetësh të përfshirë. Banka e Zhvillimit do t’i paguajë Agjencisë Franceze të Zhvillimit një komision një herë në masën 0,4% të shumës totale të kredisë. Pas përfundimit të vitit të dytë, komisioni do të jetë 0,15%, kurse pas përfundimit të vitit të tretë do të paguhet një komision prej 0,25% për fondet e pa tërhequra. Kamata mund të jetë fikse ose e ndryshueshme, por jo më e ulët se 0,25%, dhe parashikohet një kamatë shtesë prej 3,5% nëse kamata bazë nuk paguhet brenda afatit të caktuar.

RMV do të marrë kredi të reja. Infografik nga Portalb.mk
RMV do të marrë kredi të reja. Infografik nga Portalb.mk

Kredi nga BERZH-i në vlerën prej 5.000.000 euro

Një ligj tjetër për kredinë që Qeveria e propozoi me procedurë të shkurtuar – 5.000.000 euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pakoja e kredisë është e dedikuar për Projektin e Kalimit të Përbashkët Kufitar Hekurudhor Tabanoc, si pjesë e Korridorit Hekurudhor 10.   Bartës i kredisë është Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, e cila tashmë ka siguruar edhe një grant prej 2.400.000 euro për këtë projekt.

Shuma minimale e këstit të kredisë nga BERZH pritet të jetë 500.000 euro, dhe e njëjta shumë do të paguhet në rast shlyerjes së parakohshme apo anulimit të kredisë. Përqindja e komisionit është 0,25%, ndërsa komisioni i njëhershëm është 50.000 euro. Sipas ligjit të propozuar, shuma totale prej 7.400.000 euro do të shpenzohet për qëllimin e caktuar.

“Renovimi i stacionit ekzistues hekurudhor në Tabanoc, ndërtimi i objekteve të reja dhe pajisjeve përkatëse për stacionin hekurudhor, si dhe ndërtimi i një rruge hyrëse në gjatësi prej rreth 900 metra. Të gjitha punimet ndërtimore pritet të përfundojnë brenda 24 muajve nga dhënia e kontratës për punimet e ndërtimit” – thuhet në Kontratë.

Periudha e shlyerjes së kredisë është 15 vjet, duke përfshirë një periudhë mospagimi (grejs periudhë) prej katër vjetësh. Kredia do të shlyhet me 22 këste gjashtëmujore.

Kredi nga Bashkimi Evropian në vlerën prej 100.000.000 euro

Edhe ky Propozim-ligj për një kredi nga Bashkimi Evropian pritet të kalojë filtrin parlamentar me procedurë të shkurtuar. Bartës të kredisë janë Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, ndërsa rolin e “agjentit” do ta ketë Banka Popullore. Kredia është miratuar në korrik të këtij viti nga BE-ja. Bëhet fjalë për 100.000.000 euro me afat mesatar shlyerjeje prej 15 vitesh. Paratë do të tërhiqen në dy këste.

“Fondet janë ndarë për të kapërcyer situatën e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike, e cila çoi në rritje të çmimeve të produkteve. Kredia jepet së bashku me asistencën e FMN-së në shumën prej 406,8 milionë euro, të drejta të veçanta tërheqjeje në kuadër të Instrumentit të Prudencialitetit dhe Likuiditetit (PLL), miratuar nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të FMN-së në nëntor të viti 2022” – thuhet në dokumente.

Shuma prej 100 milionë eurosh është përcaktuar si mbështetje buxhetore dhe do të kthehet nga buxheti.

Kredi nga Banka Kreditore për Zhvillim KfW – Gjermani në vlerë prej 90.000.000

Maqedonia e ka kërkuar në qershor, ndërsa Banka Kreditore për Zhvillim KfW – Gjermani në korrik e ka miratuar kredinë në vlerë prej 90.000.000 euro. Një tjetër huazim është para deputetëve – për miratim me procedurë të shkurtuar. Kjo kredi duhet të shpenzohet në mënyrë specifike dhe me të synohet sektori i energjisë, e duhet të ndihmojë për të kapërcyer situatën për shkak të luftës në Ukrainë.

“Dhënia dhe përdorimi i kredisë kushtëzohet nga zbatimi i aktiviteteve të Programit për Reforma, synimet e të cilit janë stabilizimi dhe dekarbonizimi i sektorit energjetik” – thuhet në dokumente.

Kredia do të përdoret për rezerva ose si mbështetje direkte për buxhetin dhe do të tërhiqet në një këst, menjëherë pas përfundimit të procedurave. Afati i shlyerjes është 12 vjet e 5 muaj, duke përfshirë një periudhë mospagimi prej tre vjetësh. Kamata do të përcaktohet për këstin e kredisë pas tërheqjes së saj. Komisioni i njëhershëm është 0,5% e shumës së kredisë, e po ashtu parashikohet edhe një komision prej 0,25% të mjeteve të patërhequra, i cili do të paguhet çdo gjashtë muaj. Kësti i parë do të maturojë në nëntor të vitit 2026 në vlerë prej 4.736.000 euro dhe kjo shumë do të shlyhet çdo gjashtë muaj, çdo nëntor dhe maj, deri në vitin 2035.