Stoltenberg për vizitë dyditore javën e ardhshme në Shkup

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, javën e ardhshme vjen në Maqedoninë e Veriut për vizitë dyditore. Sipas njoftimeve, Stoltenberg do të nisë vizitën në Shkup të martën, më 21 nëntor, në kuadër të një turi disaditor nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Pas mbërritjes ai do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe do të ketë një fjalim para deputetëve në Kuvend. Kreu i NATO-s ditën e dytë të vizitës së tij në vend do ta nisë me një takim dypalësh me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, pas së cilës do të marrë pjesë në takimin jozyrtar të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni i organizuar nga Maqedonia e Veriut.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, do të mirëpresin liderët e ftuar nga Republika e Shqipërisë – Kryeministrin Edi Rama, Republika e Kroacisë – Presidenti Zoran Milanoviq, Republika e Malit të Zi – Kryeministri Milojko Spajiq dhe Republika e Sllovenisë – Kryeministri Robert Golob”, njoftoi Qeveria.

Kreu i NATO-s do të nisë turneun e tij nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor të dielën pasdite me një vizitë në Sarajevë dhe prej andej të hënën kreu i Aleancës do të shkojë në Prishtinë. Të martën do të qëndrojë në Beograd dhe do ta përfundojë turneun e tij katërditor nëpër Ballkanin Perëndimor me vizitë në Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë se më 30 tetor, Shkupin e vizitoi edhe kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen. Pas takimit me kryeministrin Kovaçevski, ajo tha se Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë drejt anëtarësimit në BE.

“Është e pabesueshme të shohësh përparimin që ka bërë Maqedonia e Veriut dhe vendosmëria për të ecur përpara është mbresëlënëse”, tha Von del Leyen.

“BE ka një histori të gjatë zgjerimi dhe respekti për çdo komb dhe respekt për diversitetin që ne përfaqësojmë. Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin e saj unik dhe gjuhën maqedonase”, tha kryetari i KE-së.