Cvetanovski e mori sërish rastin “Talir 2” – prokurori që kërkoi anulimin e aktgjykimit, tani do të japë mendim për ankesën
Prokurori Jovan Cvetanovski është prokurori i lartë që duhet t’i japë mendim Gjykatës së Apelit për rastin “Talir 2”, për të cilin pritet vendimi i gjykatës. Kjo është shkalla e fundit që duhet të vendosë nëse formalisht do të konfiskohet apo jo prona e partisë në pushtet VMRO-DPMNE. Sipas procedurave të brendshme, një çështje që më parë ka qenë në trajtim te një prokuror publik, nëse anulohet ose për arsye të tjera kthehet në prokurori, trajtohet nga i njëjti prokuror publik, deklaroi Cvetanovski për “Sloboden Peçat”, transmeton Portalb.mk.
Ai shtoi se brenda një ose dy ditësh do t’i japë mendimin e tij Gjykatës së Apelit, nëse ankesa e kolegut të tij nga Prokuroria e Shkupit është e bazuar apo jo.
Cvetanovski, në fakt, e kishte përfaqësuar këtë çështje para Gjykatës së Apelit edhe në vitin 2023, kur ish-kryeministri Nikola Gruevski ishte dënuar në shkallë të parë me gjashtë vjet burg dhe ishte marrë vendim për konfiskimin e selisë së partisë. Edhe atëherë ai kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit, kthimin e çështjes për rishqyrtim, si dhe marrjen parasysh të ndryshimeve në Kodin Penal.
Pasi Prokuroria paraqiti ankesë ndaj aktgjykimit lirues të nxjerrë nga Gjykata Penale për ish-kryeministrin Nikola Gruevski, ndërsa prona e partisë mbetet e ngrirë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, çështja javën e kaluar mbërriti në Gjykatën e Apelit. Nga Apeli njoftuan se çështja i është dërguar për mendim Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit.
Sipas ligjit, Gjykata e Apelit mund të marrë vendim me të cilin vërteton ose ndryshon aktgjykimin e shkallës së parë, ose mund ta anulojë atë dhe të mbajë seancë publike, pas së cilës do të merret një aktgjykim i ri, ndaj të cilit ekziston e drejta e ankesës në Gjykatën Supreme.
Pas aktgjykimit lirues për Gruevskin, pyetja kryesore është nëse është e mundur apo jo konfiskimi i pronës së partisë në pushtet.
Lënda “Talir 2” u rihap pas vendimit të Gjykatës së Apelit të janarit 2024, kur aktgjykimi i shkallës së parë u anulua për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal. Në gjykimin e parë, në vitin 2022, Gruevski ishte dënuar me gjashtë vjet burg me aktgjykim jo të formës së prerë, por procedura u kthye në rigjykim.
Selinë e VMRO-DPMNE-së e ndërtoi kompania e ndërtimit “Beton”, e cila tashmë ka falimentuar. Në atë periudhë, kompania fitonte tenderë, ndërsa, në kundërshtim me ligjin, VMRO-DPMNE kishte përfituar më shumë se tetë milionë euro.
- LEXO: Prokuroria e ankimoi aktgjykimin për “Talir 2” me të cilin u lirua Gruevski, nëse brenda 25 ditësh gjykata nuk merr vendim lënda do vjetërsohet
- LEXO: “Talir 1” dhe “Titanik”, betejat e fundit për rastet e PSP-së, partia dhe ish-zyrtarët e VMRO-së ende në bankën e të akuzuarve
- LEXO: “Talir 2” përplasi kryeprokurorin Nenad Saveski dhe ish-prokuroren Lençe Ristoska
Ndryshe, Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas aktgjykimit të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij.