Legalizimi nuk e zgjidhi problemin, objekti i ri i shkollës në Nerovë mbeti në gjysmë, mësimi në kushte katastrofale (Video)

Edhe pse u mor vendimi që objekti i ri i shkollës “Nikolla Karev” në Nerovë të Krushevës të kalojë në pronësi të kësaj komune, nxënësit shqiptarë vazhdojnë të mësojnë në ndërtesën e vjetër, ndërsa objekti i ri i nisur nga banorët, ka mbetur i papërfunduar. Vitin e kaluar, përfaqësuesit e VLEN-it në qeveri e paraqitën veten si faktorë në zgjidhjen e problemit dhe u përplasën me opozitën se kujt i takonin meritat, por çështja nuk është zgjidhur dhe ka mbetur në harresë institucionale, shkruan Portalb.mk. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se mjetet për përfundimin e objektit mund të planifikohen në të ardhmen, por jo gjatë këtij viti.

“Këtë që e shihni prapa meje është ndërtesa e vjetër që është ndërtuar në vitin 1947, ku momentalisht zhvillohet mësimi në dy ndërrime. Siç e shikoni edhe vetë, kushtet janë të mjerueshme, mirëpo jemi të detyruar që mësimin ta zhvillojmë në këto kushte”, tha mësuesi i kësaj shkolle, Miziret Jusufi.

Ai tregon se për shkak të kushteve të papërshtatshme, arsimtarët dhe Këshilli i Prindërve morën iniciativë për ndërtimin e një objekti të ri. Objekti u ndërtua me ndihmën e donatorëve, por punimet u ndërprenë dhe ai mbeti i papërfunduar.

“Shkaku i këtyre kushteve ka qenë edhe revolta te arsimtarët, po ashtu edhe te Këshilli i Prindërve, që të marrim një iniciativë për ta ndërtuar këtë ndërtesë. Falë donatorëve që na shtrinë dorën, arritëm deri në këtë gjendje që e shihni”, thotë Jusufi.

Sipas tij, më pas objekti u problematizua për shkak të statusit të tij dhe u ngrit edhe kallëzim penal me arsyetimin se ishte ilegal. Objekti i ri i shkollës tashmë është legalizuar dhe ka kaluar në pronësi të Komunës së Krushevës.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle, Dashmir Jusufi, thotë se pas legalizimit nuk është punuar më në objekt dhe se deri tani nuk ka mjete të siguruara për vazhdimin e punimeve.

“Pas legalizimit të objektit të ri shkollorë deri më tani nuk është punuar asgjë. Mjetet e siguruara për vazhdimin e punimeve nuk ka, plan konkret nga ana e pronarit të objektit, Komunës së Krushevës, nuk besoj se ka”, tha ai.

Sipas tij, Komuna e Krushevës ka bërë të ditur se nuk ka buxhet të mjaftueshëm per kompletimin e objektit dhe se do të kërkojë mjete nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Komuna e Krushevës nuk ka buxhet të vetin me të cilin do mundet ta kompletojë objektin e ri shkollorë, por do të kërkojë mjete nga MASH që ajo ta kompletojë”, thotë Jusufi.

Një tjetër pengesë, sipas Komunës, është se fshati Nerovë nuk është i përfshirë në Planin e Detajuar Urbanistik. Sipas përgjigjes që kanë marrë prindërit, Komuna është në fazën përfundimtare të përgatitjes së këtij plani.

“Përgjigja nga Komuna e Krushevës për këtë çështje është se fshati Nerovë, ku aty është edhe objekti i ri i shkollës, nuk është i përfshirë në Planin e Detajuar Urbanistik dhe se Komuna e Krushevës është në fazën përfundimtare të tij, i cili do kryhet pas disa muajsh”, deklaroi ai.

Megjithatë, deri tani nuk është dhënë ndonjë afat konkret se kur do të nisin punimet. Sa i përket angazhimit të përfaqësuesve politikë shqiptarë në pushtetin qendror, nga Këshilli i Prindërve thonë se nuk ka pasur zotim konkret për përshpejtimin e ndërtimit.

“Asnjë përfaqësues politik shqiptar nga pushteti qendror nuk është zotuar se do ndihmojë në përshpejtimin e ndërtimit të objektit të ri”, theksoi kryetari i Këshillit të Prindërve.

Ndërkohë, nxënësit vazhdojnë të mësojnë në objektin e vjetër, ku ankohen për kushtet.

“Ne në këtë shkollë nuk i kemi kushtet e mira. Na duhen banka, na duhen ulëse. Kur bie shi na pikon çatia. Ne duam të kemi shkollë si të tjerat fshatrat, prandaj duam që ta rregullojmë shkollën e re”, deklaroi një nxënëse.

“Nuk i kemi hiç kushtet e mira. Kur bie shi na pikon uji në klasë dhe tualetet nuk i kemi të mira, na mungojnë bankat, ulëset”, tha një nxënëse tjetër.

MASH: Për këtë vit nuk janë paraparë mjete për shkollën

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se procedura për sigurimin e dokumentacionit juridik për objektin e shkollës në Nerovë, përmes Ministrisë së Transportit, ka përfunduar. Sipas MASH-it, mjetet për përfundimin e objektit mund të planifikohen në të ardhmen, por jo gjatë këtij viti.

“Për objektin shkollor në fshatin Nerovë është zhvilluar procedurë për sigurimin e dokumentacionit juridik përmes Ministrisë së Transportit, meqë më parë i përkiste një komune tjetër. Kjo procedurë ka përfunduar dhe në të ardhmen mund të planifikohen mjete për përfundimin e ndërtimit të nisur. Për këtë vit, nuk janë paraparë mjete”, thuhet në përgjigjen e MASH-it për Portalb.mk.

Portalb.mk ka adresuar pyetje edhe te Komuna e Krushevës lidhur me planin dhe afatet për vazhdimin e punimeve, por deri në publikimin e këtij materiali nuk ka marrë përgjigje.

Bojkoti, vizita e ambasadorit Meidani dhe premtimet e VLEN-it që mbetën pezull

Problemi i shkollës në Nerovë u aktualizua vitin e kaluar, kur banorët dhe prindërit protestuan pasi u ndaluan punimet në objektin e ri qe po ndërtohej me kontributin e tyre. Nxënësit bojkotuan mësimin, ndërsa prindërit kërkuan legalizimin e objektit dhe krijimin e kushteve që ai të vihej në përdorim.

Në qershor të vitit 2025, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit inspektuan objektin e vjetër dhe atë të ri. Nga Ministria atëherë thanë se objekti i vjetër nuk ishte në gjendje të mirë. Megjithatë, gjendja mbetet e pandryshuar pavarësisht vizitës së zhvilluar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, bashkë me deputetin Bekim Qoku dhe deputetë të tjerë të koalicionit qeverisës. Gjatë takimit të drejtpërdrejtë me banorët, prindërit dhe stafin arsimor të Nerovës, u garantua se MASH do të merrte përsipër zhbllokimin e pengesave administrative, legalizimin e plotë dhe sigurimin e fondit të nevojshëm për të mbyllur punimet e mbetura pezull.

Por, një vit pas këtyre deklaratave, realiteti flet ndryshe, asnjë makineri ndërtimi nuk ka  zbarkuar në fshat dhe asnjë procedurë e dukshme prokurimi apo alokimi mjetesh nuk ka përfunduar.

Në Nerovë shkoi edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili u takua me banorët dhe dëgjoi kërkesat e tyre. Vizita e tij u pasua me kërkesa për zgjidhjen e problemit të shkollës.

Më 1 korrik 2025, Qeveria mori vendim që hapi rrugën për zgjidhjen e statusit juridik të pronës ku ndodhet shkolla dhe kalimin e saj në pronësi të Komunës së Krushevës.

Pas këtij vendimi, pati përplasje për atë se kujt i takonin meritat. BDI dhe ASH e konfirmuan këtë zgjidhje me angazhimin e ambasadorit Meidani. Nga ana tjetër, kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, tha se problemi i shkollës në Nerovë ishte lënë pas dore nga qeveritë e mëparshme dhe se zgjidhja e çështjes erdhi me angazhimin e Qeverisë aktuale. Ai gjithashtu reagoi ndaj përpjekjeve për t’ia atribuar meritën ambasadorit Meidani.

Edhe përfaqësues të tjerë të VLEN-it premtuan për këtë çështje. Ish zv.ministri i Arsimit, Lulzim Aliu, tha se pas zgjidhjes së çështjes së pronës do të vijonin legalizimi dhe funksionalizimi i objektit të ri, duke theksuar se ai nuk do të rrënohej.

VLEN më pas deklaroi se çështja e shkollës shqipe në Nerovë ishte zgjidhur dhe se nxënësit do të mësonin në objektin e ri.

Edhe ish kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, e përfshiu rastin në rezultatet e punës së VLEN-it, duke thënë se objekti ishte legalizuar dhe do të vazhdonte të funksiononte.

Megjithatë, një vit pas bojkotit, vendimit për legalizim dhe premtimeve të VLEN-it, objekti i ri ende nuk është në përdorim. Nxënësit shqiptarë në Nerovë vazhdojnë të mësojnë në ndërtesën e ndërtuar në vitin 1947, ndërsa prindërit dhe mësimdhënësit presin që të përfundojnë procedurat dhe të vazhdojnë punimet e mbetura përgjysmë.