Microsoft: Kina akuzohet për sulm hakerik ndaj emaileve të qeverisë amerikane

Hakerët me bazë në Kinë kanë marrë qasje në llogaritë e e-maileve të rreth 25 organizatave, duke përfshirë agjencitë qeveritare, njofton “Microsoft”, raporton BBC, transmeton Portalb.mk.

Kompania nuk ka dhënë detaje se për cilat agjenci qeveritare bëhet fjalë. Ministria Amerikane e Tregtisë për BBC ka konfirmuar se Microsoft i ka njoftuar ata për sulmin.

Mediat amerikane raportuan se edhe Departamenti i Shteti ka qenë objekt i hakerëve.

“Microsoft tha se grupi i hakerimit që e quan si “Storm-0558”  ka marrë qasje deri te llogaritë e e-mailit me shenja të falsifikuara për vërtetim digjital të cilat përdoren për të verifikuar identitetin e një personi.

“”Storm-0558” kryesisht i sulmon agjencitë qeveritare në Evropën Perëndimore dhe fokusohet në spiunazh, vjedhje të të dhënave dhe qasje në kredenciale”, thonë nga Microsoft  duke shtuar se sulmet e hakerëve kanë filluar në mes të muajit maj.

Në maj, kompania së bashku me agjencitë perëndimore të inteligjencës thanë se hakerët kinezë kanë përdorur një “malware” të fshehur për të sulmuar infrastrukturën kritike të bazave ushtarake amerikane në Guam. Atje gjinden një pjesë e stacioneve ushtarake amerikane  dhe bazave ajrore që do të ishin kyçe për përgjigjen e perëndimit ndaj çdo konflikti në Azi.

Sipas ekspertëve, kjo është një nga fushatat më të famshme të hakerëve kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.