Zhelina së shpejti me Qendër Kulturore Rinore

Të rinjtë e Komunës së Zhelinës së shpejti do të kenë Qendër Kulturore Rinore, sot zyrtarët inspektuan punimet në këtë objekt, transmeton Portalb.mk.

Të gjithë të rinjtë në të gjitha komunat e meritojnë këndin e tyre. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi i cili theksoi se Qendra Kulturore Rinore në Zhelinë, sipas projektit nga Qeveria, ka përfunduar, ashtu siç është paraparë në kontratën e nënshkruar me komunën e Zhelinës, pasi punimet ndërtimore kanë përfunduar deri në fasadën e jashtme të objektit.

Zëvendëskryeministri informoi se tashmë komuna ka obligim të kompletojë interierin.

“Pas kësaj, banorët e Zhelinës, veçanërisht të rinjtë, do të kenë një hapësirë ku mund të shprehin dhe zhvillojnë potencialin e tyre kreativ, për realizimin e ideve dhe projekteve të reja të rëndësishme për zhvillimin e Zhelinës. Kjo godinë do të jetë shtëpia e tyre e dytë, nga e cila presim të dalin shumë diskutime dhe ide për progres për brezat e rinj”, tha Bytyqi.

Drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt tha se punimet në kuadër të këtij projekti për ndërtimin e Qendrës Rinore përfshijnë punime betoni dhe armature deri te ujësjellësi, punime elektrike dhe të fasadës, kurse vlera e këtij projekti është gati 300.000 euro.

“Mendojmë se kjo Qendër Rinore në të ardhmen do t’i ofrojë dhe do t’u mundësojë popullatës së re në Zhelinë mbështetje për zhvillimin e tyre personal dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në komunitet. Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer me Qeverinë dhe autoritetet lokale vazhdon, ndërsa përfitimet për bashkësitë lokale dhe infrastrukturën e përgjithshme të vendit do të zgjasin”, tha Kurt.

Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu theksoi se ky projekt është Qendra e parë Rinore në komunën e tyre.

“Të rinjtë do të kenë një shtëpi tjetër ku mund të zhvillojnë idetë e tyre duke shfrytëzuar këtë objekt të rëndësishëm të destinuar për të rinjtë, por edhe për të gjithë të tjerët që do të përdorin Qendrën Kulturore Rinore në të ardhmen. Ne si komunë e Zhelinës kemi aplikuar në vitin 2021 dhe ndërtimi ka përfunduar vitin e kaluar në vitin 2022, tani presim që të përfundojë edhe faza e dytë”, tha Sejdiu.

Ndryshe, përmes programit TAV ndërtohen, kanalizime, ujësjellës, salla sporti, rrugë, kopshte, shtëpi për të moshuar dhe qendra rinore. Bytyqi informoi se nga gjithsej 82 projekte të filluara në vlerë prej 49,7 milionë euro, janë përfunduar 60 projekte infrastrukturore, ndërsa në 22 të tjera po punohet aktualisht. Ndërsa për 10 projektet e mbetura, ai tha se realizimi do të fillojë këto ditë