Spasovski: Për një javë kemi arrestuar 60 persona

Në periudhën prej 30 tetorit deri më 5 nëntor të këtij viti janë arrestuar mbi 60 persona për arsye të ndryshme, për tregti të paligjshme të drogës, kontrabandë, vjedhje të rëndë, prerje të paligjshme të druve, persona të kërkuar me urdhër-arrest, organizimin e lojërave të fatit pa licencë, njoftoi në Facebook ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, transmeton Portalb.mk.

Sipas Spasovskit, në periudhën në fjalë janë ndërmarrë masa të shtuara operative dhe aktivitete parandaluese me qëllim të rritjes së sigurisë së qytetarëve.

“Pas masave të marra nga Ministria e Punëve të Brendshme në të gjithë vendin si dhe njësia lëvizëse për sigurinë në qarkullimin rrugor, janë lëshuar 3452 urdhërpagesa penale për kundërvajtje të kryera në trafik. Të realizuara 13 aktivitete parandaluese në periudhën 30.10.2023 deri më 05.11.2023, me temat e parandalimit të trafikut të drogës, dhunës së bashkëmoshatarëve dhe sigurisë në shkolla, sigurisë në komunikacion”, shkroi Spasovski.