Bekteshi: Javën e ardhshme do të shpallet pakoja e re e masave antikrizë

Në fund të javës së ardhshme pritet pakoja e re e masave antikrizë dhe pasi të miratohen do të fillojë menjëherë aplikimi i tyre, njoftoi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, transmeton Portalb.mk.

“Pakoja e masave antikrizë u nda dje nga Ministria e Financave me kabinetin e kryeministrit, me ne dhe me institucione të tjera të përfshira në krijimin e saj. Me shumë mundësi masat do të shpallen dhe ato do të fillojnë të zbatohen nga mesi ose në fund të javës së ardhshme”, tha Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Përveç pakos së re të masave kundër krizës, Bekteshi bëri të ditur se propozim-ligji për praktikat e padrejta tregtare pritet të miratohet në Qeveri javën e ardhshme, i cili më pas do të dërgohet në Kuvend.

Ai tha se Ministria e Ekonomisë tashmë ka marrë të gjitha vërejtjet dhe komentet nga prodhuesit, distributorët dhe rrjetet e supermarketeve, të cilat do të shqyrtohen dhe do të përfshihen në draft versionin e ligjit në koordinim me kryeministrin dhe institucionet kompetente.

“Këtë javë do të koordinohemi me kryeministrin për komentet që kemi marrë nga palët e interesuara. Do t’i shqyrtojmë me institucione të ndryshme për t’i futur në draftin përfundimtar të ligjit. Do të mbajmë edhe një takim përfundimtar me Odën ekonomike për të parë se cili do të jetë i pranueshëm dhe ndoshta do të inkorporohet në versionin përfundimtar që do t’i dërgohet Kuvendit. Presim që ligji i propozuar të miratohet nga Qeveria dhe të dërgohet në Kuvend në fillim të javës së ardhshme. Bëhet fjalë për një zgjidhje që do të ndikojë pozitivisht në uljen e çmimeve në terma afatgjatë, por do të jetë edhe jodiskriminuese në tregti, veçanërisht për produktet bujqësore dhe ushqimore”, tha Bekteshi.

Ligji mbulon dhe rregullon 26 praktika të padrejta tregtare.

Në takimin që ministri Bekteshi pati me Odën ekonomike, në mesin e muajit të kaluar, u tha se ligji i ri parashikon uljen e rabatit në maksimum dhjetë për qind në vit, gjë që do të ndikojë në uljen e çmimeve të prodhimet bujqësore dhe ushqimore, si dhe për mosrespektimin e dispozitave ligjore aktualisht i nënshtrohen gjobave deri në 20 mijë euro.

Ligji, siç tha Bekteshi, tashmë është në ENER dhe do të bartet me flamur evropian.

Më pas ministri tha se periudha gjashtëmujore që i ka mbetur kompanive për t’u përshtatur mund të reduktohet nëse blerësit dhe furnitorët janë të gatshëm të aplikojnë menjëherë këtë zgjidhje ligjore.

Kujtojmë se “çmimi i garantuar” i disa produkteve ushqimore do të jetë i vlefshëm deri në fund të vitit dhe prodhuesit, distributorët dhe tregtarët do të mund të shesin produkte bujqësore dhe ushqimore me çmime promocionale.

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, në mbledhjen e 27 tetorit, Qeveria ka miratuar Vendim për ndërprerjen e vlefshmërisë së Vendimit për ndalimin e tregtisë së mallrave të caktuara, përkatësisht ndalimin e shitësve me pakicë që të ofrojnë shitje speciale (aksion) dhe shitje promocionale (promocion) gjatë vendosjes në tregtinë e produkteve bujqësore dhe ushqimore.