Takim mes Kuvendit studentor të UKM-së dhe MASH-it: Vakt javor i subvencionuar, pagesa retroaktive e bursave deri më 15 dhjetor

Pagesa retroaktive e bursave të prapambetura të studentëve do të fillojë jo më vonë se data 15 dhjetor. Këtë premtim e morën përfaqësuesit e Kuvendit Studentore të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (KS UKM) në takimin në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) me ministrin Jeton Shaqiri, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftojnë nga KS UKM, në këtë takim, i cili është mbajtur me mbështetjen e faqes në Instagram “Studentaria”, janë paraqitur kërkesat tjera të tyre dhe siç thonë ata janë pranuar nga ministri Shaqiri.

Risi paralajmërohen edhe në pagesën e vaktit të subvencionuar të studentëve. Në vend që të marrin 140 denarë në ditë, për shfrytëzim më efikas, mjetet do t’i marrin në baza javore. Sipas KS UKM, kjo mënyrë e pagesës së mjeteve pritet të aplikohet nga semestri i ardhshëm.

Krahas kësaj, në takim u ra dakord që në Komisionin për përzgjedhjen e studentëve të pranuar në konvikte të hyjnë edhe anëtarët studentorë nga kuvendet studentore universitare.

Gjithashtu paralajmërohet rritje e të drejtave të studentëve në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve për bursa, ushqime të subvencionuara dhe transport publik. Studentët e këtyre cikleve nuk gëzojnë asnjë nga masat e mësipërme si kolegët e tyre universitar.

Studentët kanë marrë garanci edhe për rikonstruimin e konvikteve studentore, i cili është vonuar prej muajsh. Lidhur me konviktin e studentëve “Steve Naumov”, ministri Shaqiri tha se më së voni deri në janar do të fillojë rikonstruksioni, ndërsa për konviktin “Kuzman Josifovski – Pitu” priten më shumë informata.

Krahas kësaj, janë paralajmëruar një numër në rritje i kontrolleve për sa i përket cilësisë dhe prokurimit të ushqimeve të përgatitura dhe të servirura në konviktet e studentëve.

Kujtojmë se deri vonë ka pasur heshtje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për premtimin, por edhe detyrimin për të paguar diferencat në masën e bursave për studentët e diskriminuar. Ndonëse kanë kaluar dy vite që nga diskriminimi indirekt i shtetit ndaj tyre, studentët e dëmtuar ende nuk kanë marrë shumat e rritura.