Sot në Kuvend duhet të vazhdojë seanca e Komisionit hetimor për skandalin e Onkologjisë

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot duhet të vazhdojë seanca e Komisionit anketues për skandalin e Onkologjisë. Dje para anëtarëve të Komisionit foli ish-drejtori i Klinikës Nikolla Vasev, drejtori aktual organizativ u.d Halid Matoshi, ish kolegu i tij Nehad Nuhi dhe Biljana Nastova, udhëheqëse e farmacisë së Onkologjisë, transmeton Portalb.mk.

Ish-drejtori i Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë, Nikolla Vasev, ka pranuar para deputetëve se kanë përdorur barna të marra në revers, gjë që sipas tij është e palejueshme ligjërisht, por e kanë praktikuar sepse betimi i Hipokratit i detyron që të mos i lënë pacientët pa ilaçe. Vasev shpjegoi se në revers merreshin ilçe vetëm në rastet kur nuk mund të lejonin që të ndërpritet terapia e pacientëve që tashmë kishin filluar ta merrnin.

Vendimi për ngritjen e Komisionit hetimor është marrë më 20 shtator, pasi Prokuroria Publike hapi procedurën hetimore paraprake pas akuzave publike për abuzim me ilaçe në Klinikën e Onkologjisë.

Ndryshe, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta në opinion.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.