Komisioni hetimor për rastin “Onkologjia”: Opozita akuzon për lidhje politike në skandalin me ilaçet

Komisioni hetimor për rastin e Klinikës së Onkologjisë edhe sot ka vazhduar punën duke marrë në pyetje ish-drejtorët dhe të tanishmin të Fondit për sigurime shëndetësore, Orhan Ramadani, Faton Ahmeti dhe Magdalena Filipovska Grashkovska. Në seancën e sotme, të cilën e udhëheq nënkryetari i komisionit, Aleksandar Veljanovski, dëgjohen dëshmitarët dhe ekspertët, shqyrtohen aktet dhe dokumentet. Deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski sot shtroi pyetjen nëse Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) është i obliguar të japë pëlqim për kërkesën e një klinike të caktuar për mjete shtesë, transmeton Portalb.mk.

Milloshoski i drejtoi pyetje ish-drejtorit Orhan Ramadani, i cili e ka mbajtur pozitën deri në vitin 2020, nëse përgjigja nga FSSh është e detyrueshme apo jo për Klinikën e Onkologjisë.

Ish-drejtori Ramadani ka deklaruar se FSSh ka dhënë pëlqimin pas vlerësimit të shërbimeve nëse ka nevojë për ilaçin e kërkuar dhe nëse ka buxhet për mjetet e kërkuara.

“Unë shoh që ish drejtori Nino Vasev ka qenë mbi ligjin dhe mbi pëlqimet që i janë dhënë. Kjo tregon se Vasev nuk ka qenë i vetëm dhe ka pasur patron politik pasi që këtë e ka bërë për një kohë të gjatë”, tha deputeti Milloshoski.

Në seancën e djeshme të Komisionit janë dëgjuar ish-ministrii Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ministri aktual Fatmir Mexhiti.

Paraprakisht në seancën para Komisionit hetimor ishin ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, Bekim Sali, si dhe ai i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Komisioni hetimor për rastin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë është formuar më 29 shtator pasi Prokuroria Publike ka hapur hetimet paraprake për këtë rast pas raportimeve në media për keqpërdorime të pretenduara të pozitës së punës dhe parregullsi në trajtimin e pacientëve nga kjo klinikë.

Ndryshe, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Për rastin në Klinikën e Onkologjisë, Kuvendi zgjodhi përbërjen e komisionit hetimor, me propozim të VMRO – DPMNE-së.

Ky rast nxiti reagime të shumta në opinion.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.