RMV, tre zëvendësministra dëshmuan për skandalin e “Onkologjisë”

Dy ish-zëvendësministrat e Shëndetësisë, Ilir Hasani dhe Vlladimir Rendevski, si dhe zëvendësja aktuale Maja Manoleva, e cila dëshmoi para Komisionit Hetimor për skandalin e Onkologjisë, pretendojnë se nuk kanë pasur informacione të mëparshme për sjellje të paligjshme apo joprofesionale. Manoleva shprehu njohurinë se sistemi Kato ka qenë problematik që në fillim – ai është vënë në përdorim në vitin 2017 me vetëm një infermiere të trajnuar. Deputetët e opozitës dyshojnë se Klinika ende po funksionon në kaos, transmeton Portalb.mk.

Komisione, vendime të shfuqizuara. Deputetët e opozitës dyshojnë në pretendimet e qeverisë se kushtet e Klinikës së Onkologjisë janë zgjidhur dhe borxhet janë përgjysmuar.

Zëvendësministrja e aktuale, Maja Manoleva, thekson se menaxhmenti aktual i klinikës punon në mënyrë profesionale dhe se disa probleme po grumbullohen prej vitesh. Një prej tyre është sistemi Kato, i cili u vu në përdorim shpejt në vitin 2017 pa staf të trajnuar.

Ilir Hasani dhe Vladimir Rendevski shpjeguan se nuk kishin dijeni për abuzime në klinikë dhe as nuk kishin marrë informacion apo autorizim nga ministrat.

Para Komisionit Hetimor do të dëshmojnë edhe ekspertë dhe zyrtarë të tjerë. Ai duhet të vendosë përgjegjësi të mundshme politike për trajtimin e njëanshëm dhe të papërshtatshëm të pacientëve me kancer, veçanërisht me terapi biologjike, si dhe për abuzime të tjera të mundshme.

Seanca e kaluar e Komisionit hetimor për rastin e Klinikës së Onkologjisë u zhvillua me marrjen në pyetje të ish-drejtorëve dhe të tanishmin të Fondit për sigurime shëndetësore, Orhan Ramadani, Faton Ahmeti dhe Magdalena Filipovska Grashkovska.

Antonio Milloshoski i drejtoi pyetje ish-drejtorit Orhan Ramadani, i cili e ka mbajtur pozitën deri në vitin 2020, nëse përgjigja nga FSSh është e detyrueshme apo jo për Klinikën e Onkologjisë.

Ish-drejtori Ramadani ka deklaruar se FSSh ka dhënë pëlqimin pas vlerësimit të shërbimeve nëse ka nevojë për ilaçin e kërkuar dhe nëse ka buxhet për mjetet e kërkuara.

“Unë shoh që ish drejtori Nino Vasev ka qenë mbi ligjin dhe mbi pëlqimet që i janë dhënë. Kjo tregon se Vasev nuk ka qenë i vetëm dhe ka pasur patron politik pasi që këtë e ka bërë për një kohë të gjatë”, tha deputeti Milloshoski.

Janë dëgjuar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ministri aktual Fatmir Mexhiti, si dhe ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, Bekim Sali, si dhe ai i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Komisioni hetimor për rastin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë është formuar më 29 shtator pasi Prokuroria Publike ka hapur hetimet paraprake për këtë rast pas raportimeve në media për keqpërdorime të pretenduara të pozitës së punës dhe parregullsi në trajtimin e pacientëve nga kjo klinikë.

Ndryshe, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Për rastin në Klinikën e Onkologjisë, Kuvendi zgjodhi përbërjen e komisionit hetimor, me propozim të VMRO – DPMNE-së.

Ky rast nxiti reagime të shumta në opinion.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.