Filipçe për rastin “Onkologjia”: Ministri nuk di si jepen terapitë, ajo është punë e kryeinfermieres

Ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në seancën e sotme të komisionit anketues parlamentar për Klinikën e Onkologjisë tha se menaxhimi dhe kontrolli i barnave është punë e udhëheqësisë së spitalit dhe kryeinfermieres, transmeton Portalb.mk.

“Dhënia, kontrolli  i ilaçeve është punë e udhëheqësisë. Ministri nuk e di se si jepen terapitë. Është punë e kryeinfermieres, kështu ka qenë gjithmonë”, tha Filipçe.

Filipçe foli edhe për importin paralel të barnave, i cili tha se ka ekzistuar deri në vitin 2018. Që atëherë, tha Filipçe, ligji ka ndryshuar dhe barnat janë importuar sipas kritereve evropiane. Sa i përket importit paralel, ai tha se ka lejuar që barnat që hyjnë në vend të jenë pa certifikatë cilësie.

Lidhur me furnizimin e medikamenteve me revers, Filipçe tha se kjo është bërë që pacientët të mos mbeten pa ilaçe.

“Reversi është me qëllim që pacientët të mos mbesin pa ilaçe. Në janar keni 100 pacientë me një diagnozë. Në mars kanë ardhur njëzet të tjerë, e 100 të parët është dashur të pranojnë terapi gjatë tërë vitit. Për këtë është marrë me revers. Nuk e arsyetoj por nuk kanë çfarë të bëjnë. Do të ngelnin pacientët pa ilaçe. Duhet të ndryshojë sistemi”, deklaroi Filipçe.

Për ish-drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev tha se ai është profesionist i shkëlqyer dhe se nëse ka dyshime në punën e tij, duhet të hetohet.

Ai gjatë mandatit të tij ka thënë se nuk ka pasur mangësi në punën e Klinikës së Onkologjisë dhe se sa ishte ministër i Shëndetësisë nuk ka qenë i informuar se nuk ka ilaç për ndonjë pacient.

Komisioni i djeshëm përfundoi me disa konkluzione, ndër të cilat përgjegjësit e klinikës së onkologjisë duhet të zbatojnë rekomandimet e auditorit shtetëror nga raporti për vitin 2021, të hartojnë protokollet mjekësore për lidhjen e pacientëve me terapinë biologjike, të bëjnë inventarizimin e të gjitha pasurive sipas rregullores së kontabilitetit të buxheteve dhe përfituesve buxhetorë.

Në mars të këtij viti Enti i Kontrollit Shtetëror ka publikuar një raport revizioni, ku ndër të tjera thuhet se është prokuruar terapi biologjike, por nuk ka pasur para të mjaftueshme, nuk ka pasur edhe protokolle mjekësore, gjegjësisht udhëzime me të cilat do zë vendosen rregulla dhe kritert për përfshirjen e pacientëve në terapi biologjike.

Kujtojmë se prokurori publik shtetëror Lubomir Joveski kumtoi se është e mundur që në ndonjërin nga vendet fqinje të ketë ekspertizë për rastin “Onkologjisë”. Ai konfirmoi se bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë është ende të suaza të këmbimit të informatave, por se çfarë do të tregojë ai bashkëpunim , tani për tani mbetet çështje e hapur.

Ndryshe, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Për rastin në Klinikën e Onkologjisë, Kuvendi zgjodhi përbërjen e komisionit hetimor, me propozim të VMRO – DPMNE-së.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.