Sonte fillon TIFF “ODA” në Tetovë, “The Albanian Virgin” hap festivalin (VIDEO)

Edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit të Filmit në Tetovë “ODA” fillon sonte në ora 20:30 dhe do të hapet me filmin “The Albanian Virgin” nga regjisori shqiptar Bujar Alimani. Këtë vit festivali do të mbahet në ambient të hapur prapa rektoratit të Universitetit të Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Dashamirët e filmit, nga sot (4 korrik) e deri ditën e shtunë (8 korrik), pa bileta dhe pa pagesë do të kenë mundësi të shohin premiera dhe një lloj-llojshmëri filmash mes të cilëve edhe filma triumfues në festivalet më të mëdha botërore.

Këtë vit, në festival kanë aplikuar gjithsej 2941 filma nga 112 vende të botës, do të shfaqen vetëm 45 filma, ndërsa 34 prej tyre do të garojnë për çmimet kryesore në pesë kategori, edhe atë: Cine Balkan Panorama, Short Fiction, Short Documentary, Short Animation dhe Student Film.

"TIFF ODA" 2023, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
“TIFF ODA” 2023, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Drejtori i festivalit, Berat Asani theksoi se këtë vit kanë sjellë një numër të madh të filmave, ku do të shfaqin shumë filma edhe nga Ballkani dhe filma shqiptar.

“Këtë vit kemi një ndryshim po ashtu në lokacion, festivali nuk do të zhvillohet në Qendrën për Kulturë, por kemi rastin që filmat ballkanik ti shfaqim në hapësirë të hapur te Universiteti i Tetovës, prapa rektoratit të ri. Në rast se do të ketë ndryshim klimatik do të zhvendoset në amfiteatrin Abdylselam Emini”, tha Asani.

Ai shtoi se nuk i kanë lënë anash panelet e diskutimit.

“Do të kemi rastin që autorët e filmave që do të shfaqen një natë më parë të kenë mundësinë të komunikojnë me publikun”, tha Asani.

Vlerësimin e filmave pjesëmarrës në këtë edicion në garën ballkanike do ta bëjnë emra të njohur të botës së filmit si Kaltrina Krasniqi (regjisore), Lazar Sekulovski (montazher filmi) dhe Refet Abazi (aktor).

Ndërsa juria në kategoritë e filmave të shkurtër këtë vit përbehet nga Ilire Vinca (aktore), Flonja Kodheli (regjisore) dhe Çigdem Sezgin (regjisore).

Të gjithë programin e “TIFF ODA 2023” e gjeni më poshtë:

Programi i "TIFF ODA" 2023. Foto: TIFF ODA
Programi i “TIFF ODA” 2023. Foto: TIFF ODA