SMART Balkans organizoi vizitë në institucionet e ndryshme të RMV-së që merren me korrupsionin mjedisor

Shoqëria Civile për Shoqëri të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor, “SMART Balkans”, dje i përfundoi vizitat studimore tre-ditore me temë “Rreziqet e korrupsionit mjedisor në rajonin e Ballkanit Perëndimor – rasti i Maqedonisë së Veriut”.  Pjesëmarrës ishin disa organizata nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnjë dhe Hecergovina dhe Mali i Zi, të cilat u njoftuan me organet dhe institucionet shtetërore që merren me korrupsionin mjedisor në Maqedoninë e Veriut dhe punën e tyre të deritanishme, shkruan Portalb.mk.

Gjatë këtyre vizitave, pjesëmarrësit, përfaqësues nga organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, ndanë njohuritë e tyre për atë se si zgjidhen problemet e korrupsionit mjedisor në shtetet e tyre përkatëse, për të parë se cili shtet ku dhe si mund të përmirësojë sistemin e vet të antikorrupsionit.

Në seancën e parë, të mbajtur më 17 tetor, të ftuarit takuan Grupin e Gjelbër Parlamentar, vizituan Qendrën për Komunikime Civile dhe Këshillin e Autoriteteve Inspektuese. Janë diskutuar disa nga aspektet thelbësore në trajtimin e korrupsionit në fushën e mjedisit, përpjekjet në mbikëqyrjen e prokurimeve publike dhe në fund u prezantua e-platforma për inspektimin mjedisor.

Në seancën e dytë, të mbajtur më 18 tetor, pat prezantime për ndërgjegjësimin e publikut lidhur me rastin “Drisla”, mbylljen e shkritoren “Topolnica” në Veles, krijimin e mekanizmave për luftimin e korrupsionit në mjedis, dhe në fund një prezantim për legjitimimin e organizatave të shoqërisë civile para gjykatave për çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin në mjedis.

Në seancën e tretë dhe të fundit, të ftuarit vizituan Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, ku u njohën me natyrën e punës së komisionit dhe disa shembuj konkret të rasteve të paraqitura, kurse më pas vizituan Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, për t’u njohur me strukturën e tij dhe për të diskutuar raste specifike në interes të qytetarëve.