RMV, shumica e tenderëve në MSHIA 2021-2023, janë fituar pa konkurrencë

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, në një konferencë për media njoftoi se është publikuar Raportii i auditimit lidhur me procedurat e tenderimit dhe situatën në MSHIA dhe sipas të njëjtit, shumica e tenderëve gjatë periudhës janar 2021 – qershor 2023, janë dhënë me vetëm një ofertë, pavarësisht ndalesës ligjore, shkruan Portalb.mk.

“Subjekt i revizionit kanë qenë lëndë të përzgjedhura rastësisht, të cilat janë analizuar nga një revizor i pavarur, në pjesët nga hapja e procedurës së tenderimit, deri në pagesat përfundimtare të projekteve, për aktivitetet e realizuara e kështu me radhë”, tha Aliu, i cili më pas shpjegoi se shuma totale e këtyre 18 tenderëve ka qenë 6.5 milionë euro.

Nga 18 procedurat e tenderimit për prokurim publik, në 14 prej tyre ka aplikuar vetëm një kompani, për 3 procedura ka pasur dy oferta, gjegjësisht për 1 procedurë ka pasur tri oferta.

“Në një pjesë të madhe të procedurave, shuma ka qenë e parashikuar në planin për prokurime publike të MSHIA-së, për një prokurim të caktuar ka qenë e njëjtë me shumën e ofruar nga një kompani e caktuar”, tha Aliu.

Ai shtoi se në njërën anë, kompanitë e caktuara, krijojnë politika në bazë të interesave të tyre afariste, ndërsa nga ana tjetër numri i madh i kompanive për arsye të caktuara, nuk u përgjigjen thirrjeve publike të institucioneve shtetërore.

“Natyrisht, kjo ndikon në konkurrencën dhe mundësinë për zgjedhjen më të madhe, gjegjësisht institucionet shtetërore detyrohen të paguajnë çmime të larta për shkak të numrit të vogël të ofertave nga kompanitë e ndryshme.  Prandaj, nevojitet zgjidhje e përgjithshme sistematike që do të parandalojë të gjitha tentativat për keqpërdorim dhe do të rris ofertën e mallrave dhe shërbimeve për institucionet shtetërore. Nëse duam të fitojë Maqedonia e Veriut dhe të bëhet anëtare e BE-së, atëherë duhet të flitet hapur për të gjitha problemet dhe sfidat që ne i kemi”, tha Aliu.

Ndryshe, periudha e revizionit i përfshin tre ministra, gjegjësisht Jeton Shaqirin, i cili ka qenë prej 1 shtatorit 2020 deri në 15 janar 2022, Admirim Alitin prej 16 janar 2022 deri më 26 shkurt 2023 dhe Azir Aliun, i cili vijon të jetë në krye të MSHIA-së.

Raportin e plotë të Revizionit mund ta gjeni: KËTU.