Studentët me valixhe në rrugë, MASH assesi ta hapë Konviktin e Tetovës

Studentët që kanë aplikuar dhe janë pranuar në konviktin studentor të Tetovës momentalisht janë të lënë në rrugë dhe duhet të gjejnë akomodim alternativ, pasi konvikti i premtuar ende nuk i ka hapur dyert. Të udhëtojnë përditë për në fakultet apo të banojnë te familjarët apo miqtë, është mëdyshja e studentëve, të cilët Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk u jep detaje konkrete se kur do të munden t’i vendosin valixhet, në dhomat e tyre, shkruan Portalb.mk.

Studentët të cilët kanë aplikuar dhe janë pranuar në konviktin studentor të Tetovës, pavarësisht se kanë nënshkruar kontrata me Ministrinë e Arsimit, ata ende nuk janë akomoduar në konvikt. Për këtë ata duhet të gjejnë zgjidhje alternative banimi, ose në raste tjera të udhëtojnë. Ata kanë edhe shumë paqartësi në lidhje zhvendosjen në konvikt pasi institucionet nuk i njoftojnë si duhet.

“Aplikova në shtator dhe u pranova, pastaj ishim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës i nënshkruam kontratat. Pyetëm se kur do mund të vendosemi na thanë “nuk e dimë, po e dimë se e kanë bërë mirë” dhe më nuk ka lajm. Unë udhëtoj po kam ligjërata dhe ushtrime dy herë në javët dhe kisha pak fat në orar, por do ishte më mirë të banonim në konvikt përderisa kemi aplikuar. Kontrata u nënshkrua tash nuk dihet a do duhet të paguajmë prej momentit që është nënshkruar kontrata që shënonte 10 muaj akomodim ose prej kur të vendosemi. Nuk më habit nëse ndodh të paguajmë 10 muaj, ndodhemi në Maqedoni të Veriut”, theksoi për Portalb.mk studenti Flamur Iseni nga Shkupi.

“Ne si studentë nuk kemi asnjë informatë se kur do të hapet konvikti, është absurde”, tha një studente.

Një studente nga Struga me të cilën biseduam tha se ajo ka qenë e interesuar të aplikojë për në konvikt, por nuk ka gjetur informacion në lidhje me konviktin.

“Kam pyetur vet në fakultet se vetë isha e interesuar se besoja se do të ketë çmim të mirë qiraje por askush nuk kishte informacion”, tha ajo.

“Konvikti ende nuk është hapur, na kanë thënë se do të hapet me datë 20 dhe më s’kemi pasur lajmërim”, tha një studente tjetër e cila ka aplikuar për konvikt.

Në lidhje me zvarritjen e punimeve për konviktin në Tetovë, Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) për Portalb.mk ka theksuar se Ministria e Arsimit ka treguar neglizhencë totale ndaj nevojave të studentëve.

Nga ana tjetër, drejtori i konviktit studentor në Tetovë, Tushi Dervishi për Portalb.mk tha se punimet janë në fazë përfundimtare, ku kanë mbetur disa punë teknike dhe se beson që së shpejti do të fillojë me punë konvikti.

“Datë nuk kam, por së shpejti, sot isha shikova punimet, në fazë përfundimtare janë, besoj se së shpejti do të hapet”, tha Dervishi.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), para disa ditëve për Portalb.mk theksoi se pasi konvikti të fillojë me punë, studentët që janë në listën e kandidatëve të pranuar që aplikuan në konkurs, do të mund të akomodohen menjëherë.

Në këtë konvikt janë të paraparë të pranohen 300 studentë edhe atë 60 nga viti i parë dhe 240 nga vitet e dyta e lartë.

Deri më tani në këtë konvikt, sipas të dhënave nga rezultatet e konkursit në ueb-faqen e MASh-it janë pranuar 33 studentë të vitit të parë dhe 49 studentë nga viti i dytë e lartë.

Ndërkaq në konkursin e MASh-t thuhej se pranimi në këtë konvikt do të jetë me kusht, pra nëse konvikti do të sigurojë kushte për punë deri më 1 tetor 2023.

Konvikti studentor në Tetovë u promovua vazhdimisht nga qeveritarët si nga ministri i Arsimit, Jeton Shaqirizëvendësministri i ArsimitAgim Nuhiupor edhe nga zëvendëskryeministri, Artan Grubi se do të jetë gati për vitin e ri akademik i cili filloi më 1 tetor, por kjo nuk u bë.

Për këtë konvikt janë bërë maratonë premtimesh.

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti. Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë.

Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.

Premtimi më i fundit ishte se konvikti do të lëshohej në përdorim në fillim të tetorit të këtij viti për vitin akademik 2023/24, megjithatë nuk u bë.

Konvikti u formalizua më 22 gusht me vendim të Qeverisë.

Përndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.