Sllovenia mbështet shumicën e kualifikuar për hapjen e kapitujve, Siljanovska Davkova: Rrezik nga bilateralizimi i procesit eurointegrues
Për ne, Bashkimi Evropian (BE) ishte dhe mbetet jo vetëm një shtëpi gjeografike, historike, e përbashkët kulturore, por edhe një përparësi e rëndësishme. Ndërsa ne, sikurse edhe deri tani, presim, mbështetje nga Sllovenia në këtë rrugë. Kjo u deklarua sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen e saj sllovene nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila aktualisht ndodhet për vizitë zyrtare në Lubjanë, transmeton Portalb.mk.
Konferenca për shtyp pasoi pritjen me nderime ushtarake dhe shtetërore për Siljanovska-Davkovën dhe bisedën kokë më kokë që ajo pati me Natasha Pirc-Musar, si dhe takimin midis delegacioneve maqedonase dhe sllovene.
Duke iu referuar rrugës së integrimit evropian të vendit, presidentja Siljanovska-Davkova tha se dëshiron edhe një herë të theksojë rrezikun e bilateralizimit të procesit të zgjerimit, veçanërisht kur lidhet me çështjet e identitetit, të cilat, siç tha ajo, janë të panegociueshme.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, por zbatim të vazhdueshëm të ligjit evropian dhe respekt për identitetin historik dhe kulturor të popujve dhe dinjitetin dhe integritetin e individëve. Bashkimi Evropian personifikon unitetin në diversitet. BE mbetet një filozofi frymëzuese nëse respekton vlerat dhe parimet e saj”, tha presidentja Davkova.
Integrimi i Ballkanit Perëndimor, tha ajo, nuk është vetëm çështje politike, por edhe një çështje sigurie, dhe në këtë kontekst, ajo deklaroi se për t’u rezistuar ndikimeve të huaja, vetëm retorika nuk është e mjaftueshme sepse, sipas saj, të gjithë e dinë se nuk ka boshllëk politik që dikush nuk do të përpiqet ta mbushë, ose të ndikojë.
Ballkani, tha Siljanovska-Davkova, ka qenë gjithmonë një lloj prove lakmusi për matjen e forcës së aktorëve të rëndësishëm.
Duke folur për Maqedoninë, ajo deklaroi se vendi ka një politikë të sigurisë së jashtme 100 përqind të harmonizuar me BE-në, dhe se meriton të tregojë pjekuri dhe interes në rrugën evropiane përmes prizmit të kritereve të Kopenhagenit.
Presidentja sllovene, Natasha Pirc-Musar, deklaroi se gjatë takimit me homologen e saj, Gordana Siljanovska-Davkova, pjesa më e madhe e bisedimeve iu kushtua të ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut. Në këtë kontekst, Pirc-Musar tha se Sllovenia mbetet një mbështetëse e fuqishme dhe e sinqertë e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Besojmë se zgjerimi nënkupton siguri më të madhe, stabilitet më të madh politik të rajonit, zhvillim më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe një Evropë më të fortë dhe më të lidhur. E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. I përshëndesim përpjekjet reformuese të deritanishme të shtetit dhe harmonizimin e tyre me politikën e sigurisë. E dimë se hapat drejt negociatave aderuese janë të vështirë, por i ofrojmë mbështetje Maqedonisë. Sllovenia edhe në të ardhmen do t’i qëndrojë pranë Maqedonisë së Veriut me transferim të njohurive dhe ndihmë teknike, veçanërisht në fushat e reformave në administratën publike dhe financat publike”, tha Pirc-Musar.
Sipas saj, bisedimet e sotme konfirmuan se ndërmjet dy vendeve ekziston nivel i lartë besimi dhe dëshirë e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale.
“Vëmendje të veçantë në bisedime i kushtuam bashkëpunimit ekonomik. Maqedonia mbetet partner i rëndësishëm dhe premtues për ekonominë sllovene. Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar në vitin 2025 arriti në 442 milionë euro, gjë që konfirmon trendin pozitiv për rritje të mëtejshme. Mundësi të mëdha shohim sidomos në bujqësi, burimet e ripërtëritshme të energjisë, digjitalizimin, turizmin ekologjik dhe atë banjor. Për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, është kyçe të sigurohet mjedis stabil dhe i parashikueshëm afarist në të dyja anët, siguri juridike për investitorët, procedura efikase dhe të drejta administrative e gjyqësore, si dhe kornizë transparente rregullatore”, theksoi presidentja sllovene.
Në takim u diskutua edhe për gjendjet në rajon, si dhe për çështje më të gjera ndërkombëtare.
“U pajtuam se dialogu, respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhëniet konstruktive ndërmjet shteteve janë kyçe për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin. Sllovenia angazhohet vazhdimisht për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë drejtim, theksova rëndësinë e procesit transparent dhe ekskluziv për zgjedhjen e sekretarit të ri të përgjithshëm të OKB-së. Kjo zgjedhje është me rëndësi të veçantë, pasi shohim mbështetje të fortë ndërkombëtare për zgjedhjen e një gruaje në këtë post. U pajtuam se është vërtet koha që, në historinë mbi 80-vjeçare të Kombeve të Bashkuara, më në fund të ndodhë që fjalimin e parë ta mbajë një zonjë sekretare e përgjithshme”, tha Pirc-Musar.
Ajo theksoi se Sllovenia është iniciatore dhe pjesë e grupit prej 15 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që propozojnë që për hapjen e kapitujve të caktuar negociues me vendet kandidate të vendoset me shumicë të cilësuar dhe jo me konsensus.
Pirc-Musar këtë e tha duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetareske lidhur me iniciativën në Bashkimin Evropian që një pjesë e vendimeve të merren me shumicë të cilësuar në vend të konsensusit.
Presidentja sllovene tha se këtë e ka deklaruar edhe më parë dhe e përsërit edhe sot, se vendeve aspirante u ngarkohet një punë dhe barrë e madhe kur bëhet fjalë për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Evropian. Ajo këtë e tha në kontekst të mundësisë për përshpejtimin e zgjerimit të BE-së dhe rritjen e efikasitetit të procesit.
“Kur Sllovenia hyri në Bashkimin Evropian në vitin 2004, duhej të harmonizonim rreth 80 mijë faqe të legjislacionit evropian, ndërsa sot vendet kandidate duhet të harmonizojnë rreth 95 mijë faqe. Në të njëjtën kohë, shumë pak pyesim veten se çfarë mund të bëjë Bashkimi Evropian që procesi të jetë më i shpejtë dhe më efikas”, tha Pirc-Musar.
Sipas saj, modeli aktual mundëson që çështjet bilaterale dhe bllokadat politike ta pengojnë procesin e zgjerimit.
“Sot Maqedonia e Veriut ndodhet në një situatë ku për shkak të një shteti anëtar nuk mund të hapë asnjë kapitull. Kjo thjesht nuk është korrekte dhe nuk është e drejtë ndaj një shteti që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, tha presidentja sllovene.
Ajo shtoi se Sllovenia do të vazhdojë të veprojë në kuadër të grupit të shteteve që mbështesin shumicën e kualifikuar për hapjen e kapitujve dhe shprehu shpresën se Bashkimi Evropian do ta njohë nevojën për një proces më efikas të zgjerimit.
Pirc-Musar vlerësoi se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është kyç për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për stabilitetin e vetë Bashkimit Evropian.
“Bashkimi Evropian është para së gjithash një projekt paqeje. Anëtarët e rinj sjellin stabilitet dhe paqe në rajon. Për Ballkanin Perëndimor, anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë rruga e vetme e vërtetë drejt stabilitetit”, tha ajo.
Presidentja maqedonase Siljanovska-Davkova, në përgjigjen e saj ndaj pyetjes, theksoi se në Ballkan tashmë ekzistojnë shembuj të mbështetjes rajonale si ajo që ekziston ndërmjet vendeve skandinave. Ajo kujtoi mbështetjen që Suedia, Finlanda dhe Norvegjia u kanë dhënë vendeve baltike në procesin e eurointegrimeve dhe vlerësoi se shembull i ngjashëm në Ballkan është pikërisht Sllovenia.
“Nëse nuk jemi të gatshëm ta kuptojmë fqinjin në rajon dhe ta mbështesim, si mund të presim mirëkuptim dhe mbështetje në Bruksel? Mendoj se kjo është logjike dhe natyrshme”, tha Siljanovska-Davkova.
Ajo e përshëndeti mbështetjen sllovene për eurointegrimet e Maqedonisë dhe vlerësoi se solidariteti rajonal është i domosdoshëm për përparim më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
Në kuadër të vizitës, Siljanovska-Davkova do të realizojë takim edhe me kryetarin e Kuvendit Shtetëror të Republikës së Sllovenisë, Zoran Stevanoviq.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Rruga evropiane e RMV-së përsëri në ngërç politik: Mucunski bën thirrje për reforma, Filipçe për ndryshime kushtetuese
- LEXO: “Maqedonas të veriut”, termi që përdori diplomatja bullgare shkaktoi tensione në Shkup, VMRO dhe LSM me akuza
- LEXO: Maqedonia e Veriut dërgoi demarsh me gojë deri te ambasadori bullgar