Mickoski nga Uashingtoni: Nuk ka tërheqje nga bisedimet me Bullgarinë, patriotët e vërtetë luftojnë dhe fitojnë

“Ne i përmbushim të gjitha, e më pas përsëri përballemi me pengesa të imponuara artificialisht – fillimisht ndryshimi i emrit, ndërsa tani përsëri ndryshimi i Kushtetutës. Ajo që më frikëson është se ky proces praktikisht nuk përfundon kurrë.” Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në një bisedë për Këshillin Atlantik në Uashington, duke folur për integrimin evropian të Maqedonisë. Ai akuzoi se për vendin nuk respektohet as përafërsisht qasja e bazuar në merita dhe se në rrugën drejt Bashkimit Evropian, Maqedonia vazhdimisht përballet me çështje dypalëshe, transmeton Portalb.mk.

Askush nuk mund të garantojë, thotë Mickoski, se kjo është kërkesa e fundit.

“Rasti ynë është i veçantë. Nuk është as afër përvojës institucionale të vendeve të mëparshme që u bënë anëtare të BE-së. Ne e filluam rrugëtimin tonë madje edhe para Kroacisë, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në vitin 2001, më shumë se 25 vjet më parë. Së bashku me ta u bëmë vende kandidate. Së bashku me ta morëm raportin e parë pozitiv nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave. Fatkeqësisht, që atëherë nuk mund të fillojmë për shkak të disa arsyeve artificiale”, deklaroi Mickoski.

Frustruese dhe zhgënjyese, sipas tij, është se pavarësisht gjithçkaje, vendi vazhdon të presë në hollin e BE-së. Ai akuzoi pushtetin e mëparshëm se, në kushtet kur nuk kishte përmbushur detyrimet brenda vendit, ishte zotuar t’i pranonte të gjitha kushtet e BE-së.

“Ata u zotuan ta ndryshojnë Kushtetutën, duke e ditur se ishte një qeveri shumë e dobët, pa shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Në atë kohë ne ishim opozitë dhe i paralajmëronim që të mos e pranonin këtë, sepse me pranimin e kësaj flete të bardhë do ta shkatërronin procesin e zgjerimit të BE-së për vendin tim. Fatkeqësisht, nuk ishin mjaftueshëm të mençur dhe pranuan gjithçka. Mes kushteve, përsëri kemi kërkesë për ndryshim shtesë të Kushtetutës”, shtoi Mickoski.

Por, thotë ai, mentaliteti i qeverisë aktuale është t’i zhvillojë betejat dhe të dalë fituese prej tyre.

“Nuk mund të tërhiqemi nga bisedimet, sepse atëherë do të dërgojmë një mesazh shumë të gabuar dhe do të izolohemi. Patriotët e vërtetë zhvillojnë beteja dhe fitojnë, nuk dorëzohen. Unë kurrë nuk do të dorëzohem dhe kurrë nuk do të tërhiqem nga asnjë lloj bisede. Do të vazhdojmë të bisedojmë dhe në fund do të fitojmë”, deklaroi kryeministri.

Mickoski nuk e përjashton mundësinë e pranimit të ndryshimeve kushtetuese, por ato të hyjnë në fuqi me zbatim të shtyrë, kur vendi t’i përfundojë negociatat, në mënyrë që të sigurohet se nuk do të ketë më pengesa në rrugën drejt BE-së.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.