Projektligji i LSDM-së që do të pengonte ministrat të kishin shtetësi të dyfishtë nuk u miratua në parlament

Shumica qeverisëse sot nuk e mbështeti nevojën për të ndryshuar Ligjin për Qeverinë në mënyrë që ministrat të kenë vetëm shtetësi të Maqedonisë. Vetëm 20 deputetë të opozitës votuan për ndryshimet në ligjin e propozuar nga LSDM, transmeton Portalb.mk

LSDM propozoi ndryshime në Ligjin për Qeverinë në mënyrë që ai të jetë në përputhje me propozimin e VMRO-DPMNE-së, që deputetët të kenë vetëm shtetësi të Maqedonisë. Zgjidhja ligjore u shpjegua nga koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski. Ai tha se grupi parlamentar i LSDM-së propozoi që ligji të miratohet me procedurë të shkurtuar.

“Zgjidhja ligjore duhet të jetë në përputhje me ndryshimet në Ligjin për Anëtarët e Parlamentit të propozuara nga VMRO-DPMNE, pra të miratohet ligj që kërkon që anëtarët e Qeverisë të kenë vetëm një shtetësi. Në Qeveri ka ministra që kanë një ose më shumë shtetësi, dhe meqenëse një kusht i tillë është vendosur në Ligjin për Anëtarët e Parlamentit, atëherë duhet të kemi zgjidhje të tillë ligjore që do të kufizojë vetëm qytetarët e Maqedonisë të jenë anëtarë të qeverisë. Kjo nuk është në kundërshtim me idenë e propozuar nga VMRO-DPMNE në Ligjin për Anëtarët e Parlamentit, dhe me këtë do të përmbushim edhe pritjet e qytetarëve. Ata që angazhohen t’u shërbejnë qytetarëve duhet të kenë vetëm shtetësi maqedonase. Ka anëtarë të Qeverisë me shtetësi bullgare, çeke, po flas për Ministren e Energjetikës Sanja Bozhinovska”, tha Spasovski.

Për deputetët e shumicës në pushtet, ky nuk ishte shpjegim mjaftueshëm i mirë.

Ndryshe, në kohën kur u votua Qeveria, doli që dy anëtarë të Qeverisë të kenë shtetësi të dyfishtë.  Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, rezultoi të kishte shtetësi bullgare dhe maqedonase. Ndërsa Zëvendëskryeministri për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, doli të jetë i pajisur me shtetësi të Belgjikës dhe të Maqedonisë së Veriut.