Sindikata e Pavarur për Arsim dhe Shkencë në protestë për bashkimin e lëndëve
Të mos kombinohen lëndët mësimore dhe të respektohen marrëveshjet kolektive kërkoi dje Sindikata e Pavarur për Arsim dhe Shkencë në protestën e mbajtur në Shkup . Sindikalistët kërkuan gjithashtu vlerësim dinjitoz të punës së pedagogëve dhe rritje të pagave me të njëjtin koeficient si për funksionarët, transmeton Portalb.mk.
Protesta nisi në mesditë nga Parku i Gruas dhe të pranishmit shkuan në këmbë drejt godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku mbajtën fjalime. Sindikata theksoi se protesta po organizohet si pasojë e mungesës së dialogut social, cenimit të të drejtave të punës dhe dinjitetit të pedagogëve.
Anëtarët e sindikatës theksuan edhe një herë se janë të pakënaqur me njoftimet për kombinimin e disa lëndëve mësimore gjeografi, histori, kimi, fizikë, biologji, edukim civil, etikë, informatikë dhe arsim teknik.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur, Tomisllav Gievski, tha se kjo mund të çojë në humbjen e vendeve të punës dhe cenimin e integritetit profesional të punëtorëve.
“Gjeografi është trajnuar për të dhënë gjeografi, historiani është trajnuar për të mësuar histori… Me ndryshime të tilla pedagogët bëhen universal, secili prej tyre duhet të jetë i përshtatshëm për çdo lëndë për të dhënë mësim. Është njësoj sikur të dërgosh kirurgë për të shuar zjarrin”, tha Gievski.
Sindikalistët janë të pakënaqur edhe me mosrespektimin e kontratave kolektive në sektorin e arsimit. Gievski thotë se kur bëhet fjalë për edukatorët, gjithmonë ka arsyetim se nuk ka para dhe se shteti është në krizë, por kjo nuk vlen për pagat e zyrtarëve shtetërorë. Sipas tij, Sindikata e Pavarur për Arsimin nuk ka pasur takim me ministrin aktual të Arsimit Jeton Shaqiri, edhe pse kanë pasur dhjetra kërkesa.
“Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje, asnjë dëshirë nga ana e ministrit për të biseduar me ne dhe prandaj ai duhet të na dëgjojë nga këtu”, tha Gievski.
Në fillim të prillit edhe SAShK-u kërkoi negociata urgjent, ku si produkt i tyre të jetë edhe teksti final i Marrëveshjes Kolektive për shkollat fillore, të mesëm dhe ai universitar.