Raporti i “Freedom House”: Maqedonia e Veriut ka shënuar njëfarë progresi demokratik, por edhe polarizim të fortë politik

Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut shënoi përparim demokratik, por edhe polarizim të fortë politik, thuhet në raportin e fundit “Kombet në tranzicion” të “Freedom House”, transmeton Portalb.mk.

Në raportin që mat progresin demokratik të vendeve në tranzicion për një periudhë njëvjeçare, vendi ka notën 3,86 për progresin demokratik, që në raportin e paraprak ishte 3,82.

Printscreen nga raporti i Freedom House
Printscreen nga raporti i Freedom House

Sipas kategorive të veçanta, vendi ka marrë pikët më të larta për shoqërinë civile, ndërsa më të ulëtin e ka shënuar në kategoritë e kuadrit gjyqësor dhe pavarësisë dhe korrupsionit me 3.25.

Vlerësimi i progresit të vendeve bëhet në një shkallë nga 1 në 7, ku 7 përfaqëson progresin më të lartë demokratik dhe 1 më të ulëtin.

Sipas kategorive në raport, notat për progresin e vendit janë si më poshtë:

  • për qeverisjen demokratike kombëtare, shteti ka rezultatin – 3,50;
  • për procesin zgjedhor – 4,50;
  • për shoqërinë civile – 4,75;
  • për media të pavarura – 3,50;
  • për qeverisjen demokratike lokale – 4,25;
  • për kornizën gjyqësore dhe pavarësinë – 3.25;
  • ndërsa identik është rezultati në kategorinë e korrupsionit – 3,25.
Printscreen nga raporti i Freedom House
Printscreen nga raporti i Freedom House

Sipas rezultateve në raport, në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vendi renditet më mirë, pasuar nga Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi, progresi demokratik i të cilëve është vlerësuar me 3.79, ku Mali i Zi shënon një regres në krahasim me raportin paraprak.

Megjithatë, edhe përkundër progresit demokratik, sipas hartës së publikuar në raport, Maqedonia e Veriut ende mbetet në shoqërinë e vendeve me qeveri tranzitore apo regjim hibrid, ku janë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.

Printscreen nga raporti i Freedom House
Printscreen nga raporti i Freedom House

Raporti vë në dukje gjithashtu polarizimin e fortë politik në vend, i cili reflektohet në bllokadat parlamentare, që sipas tij ndikon në miratimin e ligjeve.

“Në Maqedoninë e Veriut, polarizimi i fortë politik dhe bllokimet parlamentare pengojnë miratimin e legjislacionit në nivel kombëtar, por përmirësimet e vazhdueshme të autoriteteve lokale në transparencë, pjesëmarrjen e qytetarëve dhe bashkëpunimin ndërkomunal kanë pasur një ndikim të rëndësishëm pozitiv në demokracinë dhe ofrimin e shërbimeve publike”, thuhet në raport.

Në të vërehet se tek qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka zhgënjim lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndihen të braktisur nga elitat vendase që kundërshtojnë reformat demokratike dhe nga elitat ndërkombëtare të cilave u mungon vendosmëria për të ndjekur procesin e anëtarësimit”, thuhet në raport, transmeton MIA.

Raporti thekson se gjatë vitit 2022 institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor vazhduan të dobësohen, me përmirësime modeste të vërejtura në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.