Sindikata e MIA-së ia kujtoi Kovaçevskit premtimin për ngritjen e pagave të punonjësve të agjencisë

Sindikata e Agjencisë për Media dhe Informim (SMIA) kërkon nga Qeveria që në seancën e ardhshme ta paraqesë dhe miratojë pikën për rritjen e pikëve dhe rregullimin e pagave të punonjësve të MIA-së, transmeton Portalb.mk.

Sindikata përmes një komunikate me shkrim i kujton kryeministrit Dimitar Kovaçevski premtimin e dhënë në një intervistë të fundit për agjencinë shtetërore të lajmeve se kërkesa për ngritjen e pagave të punëtorëve do të vendoset në rend dite të seancës së qeverisë.

“Në intervistën e dhënë më 6 gusht, kryeministri thekson se vlerëson jashtëzakonisht shumë rolin dhe rëndësinë e MIA-së shtetërore dhe se pret që çështja e harmonizimit të pagave të punëtorëve të zgjidhet shpejt, në një nga seancat e ardhshme të qeverisë. Për ato arsye, kërkojmë që në seancën e ardhshme Qeveria të shqyrtojë dhe miratojë pikën për rritjen e pikës dhe në mënyrë shtesë të respektojë rritjen sipas Kontratës së Përgjithshme Kolektive”, thuhet në njoftimin e SMIA-së.

Menaxhmenti i MIA-së kërkon rritje të pikëve prej 6.7 për qind, përderisa SIndikata kërkon rritje prej 30 për qind siç është bërë në Ministrinë e Financave, DAP, Dogana. Një kërkesë e tillë, thonë nga Sindikata, bazohet në faktin se MIA për shkak të pagave nën mesatare po përballet me dalje të stafit.

Për një kërkesë të tillë, kujton Sindikata, nuk nevojiten mjete shtesë nga buxheti i shtetit sepse mjetet janë të parapara në buxhetin e MIA-së.

“Si Agjenci që siguron një pjesë të mjeteve nga buxheti, dhe në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të nënshkruar për sektorin publik, dëshirojmë t’ju rikujtojmë dispozitat e MPK-së që për punonjësit në sektorin publik në muajin shtator do të ketë 10 për qind rritje pagash”, theksojnë nga SMIA.

Punonjësit e Agjencisë informative – MIA prej me 27 korrik, dolën në protesta paralajmëruese me kërkesë për rritje të pagave. Me planin financiar të punës së MIA-së për vitin 2023 janë paraparë mjete për rritje të pagave, ndërsa punëtorët pohojnë se kanë muaj që presin që kjo të futet në rend dite të seancës së Qeverisë.

Më 8 gusht njoftuan se po e shtyjnë protestën, por paralajmëruan se nëse premtimi i kryeministrit nuk plotësohet në seancën e ardhshme të qeverisë, do të hyjë në grevë dhe nuk do të prodhojë lajme.