RMV, për vendime reale në luftën kundër ndryshimeve klimatike na mungojnë hulumtimet dhe informacionet në kohë

A e dimë se çfarë janë ndryshimet klimatike, si shkaktohen, por edhe cilat janë situatat e përditshme që përjetojmë dhe cilat janë pasojat e tyre të drejtpërdrejta? Vitet e fundit, ndërgjegjësimi për ndikimet e ndryshimeve klimatike është rritur. Njerëzit, por edhe kompanitë, organizatat dhe qeveritë i diskutojnë dhe i marrin parasysh kur planifikojnë aktivitetet e ardhshme. Megjithatë, duhet të konkludohet se veprimet reale përshtatëse dhe zbutëse nuk kanë ardhur ende. Një nga kushtet kryesore nëse do ta përballojmë me sukses këtë sfidë është nëse do t’i sigurojmë vetes informacion në kohë dhe të saktë, transmeton Portalb.mk.

Pasojat e ndryshimeve klimatike ndihen kudo në botë dhe në vendin tonë. Muaji i kaluar, korriku, u shpall muaji më i nxehtë në botë që nga fillimi i regjistrimeve të temperaturave, me temperaturën e sipërfaqes së Tokës 0,72 gradë mbi mesataren e korrikut nga viti 1991 deri në 2020 dhe 0,33 gradë më e lartë se muaji më i nxehtë i regjistruar deri më sot, korriku 2019. Dita më e nxehtë në botë deri më tani ishte 6 korriku i këtij viti, me një temperaturë mesatare globale prej 17.08 gradë.

Një nga mënyrat më efektive për institucionet, qytetarët, kompanitë dhe organizatat maqedonase për t’u marrë me ndryshimet klimatike, për të marrë vendime reale në procesin e zvogëlimit të ndikimeve dhe pasojave dhe për të punuar në mbrojtje dhe përshtatje në sektorët e tyre është të marrin informacion në kohë dhe korrekte lidhur me ndryshimet klimatike. Organizatat civile në vend apelojnë se krijimi i politikave me një qasje të integruar në lidhje me energjinë dhe klimën është një pashmangshmëri që na pret, por gjithashtu është e qartë se zbatimi i dokumenteve strategjike, objektivat e përcaktuara për reduktimin e emetimeve dhe realizimin e masave të përcaktuara është ende një sfidë serioze për institucionet tona si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

Gorjan Jovanovski, krijuesi i platformës për monitorimin e cilësisë së ajrit Air Care, lançoi së fundmi platformën globale të informacionit për klimën EarthCare.ai. Bëhet fjal për një bazë të madhe të dhënash për të aksesuar informacionin rreth zjarreve, përmbytjeve, stuhive, uraganeve dhe fatkeqësive të tjera të motit dhe klimës. Qëllimi, sipas Jovanovskit, është të lehtësohet aksesi në këto informacione për organizatat dhe bizneset që shpenzojnë qindra mijëra euro, duke krijuar infrastrukturë për t’i mbledhur ato vetë nga satelitët, stacionet qeveritare dhe vullnetare.

“E pamë rëndësinë e hapjes së të dhënave të cilësisë së ajrit përmes AirCare dhe tani po bëjmë të njëjtën gjë në një shkallë shumë më të madhe përmes EarthCare.ai. Është thelbësore t’i bazojmë vendimet tona në të dhëna, për shembull, nëse fermerët kanë akses në të dhënat historike për periudhat e thatësirës, ​​lagështinë e tokës, valët e temperaturës, stuhitë etj. Ata do të jenë në gjendje të planifikojnë më mirë paraprakisht se si t’i mbrojnë fushat e tyre nga moti i keq. E njëjta gjë vlen edhe për mbrojtjen nga zjarri në pyje, të cilat me monitorimin e këtyre parametrave mund të parashikohen dhe parandalohen. Të dhënat historike janë shumë të rëndësishme për të bërë parashikime dhe pa të dhëna cilësore historike, parashikimet bëhen vetëm lojë fati”, thotë Jovanovski.

Ai thekson se EarthCare.ai përdor një sërë burimesh të dhënash, duke filluar nga qeveritë dhe institucionet shtetërore, tek satelitët nga Agjencia Evropiane e Hapësirës dhe NASA. Me to, mund të merret një pasqyrë më e qartë e situatës me ndikimin e ndryshimeve klimatike në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, Jovanovski konsideron se problemi këtu është të zgjohet vullneti i institucioneve për t’i shfrytëzuar këto të dhëna.

“Në vendet perëndimore është një praktikë e zakonshme që të merren vendime në bazë të pamjeve satelitore sepse ato tregojnë më së miri situatën pa pasur nevojë që dikush të jetë fizikisht aty. Një nga objektivat tona është bashkëpunimi me agjencitë shtetërore për të sjellë praktika dhe politika në kohë dhe të mira që do të mbrojnë popullsinë nga pasojat e krizës klimatike. Ka të dhëna, por na mungon dëshira për të parë dhe planifikuar në afat të gjatë”, thotë Jovanovski.

Konsensusi mes të gjitha palëve të interesit, bashkëpunimi më konkret me sektorin joqeveritar, si dhe vullneti politik, veçanërisht në lidhje me dekarbonizimin e sektorit energjetik, janë faktorë veçanërisht të rëndësishëm në ballafaqimin me ndryshimet klimatike, konsideron Filip Stojanovski nga Qendra për ndryshime klimatike. Megjithatë, thekson ai, kur bëhet fjalë për luftën kundër ndryshimeve klimatike, institucionet tona kompetente përballen me kapacitete të pamjaftueshme dhe zbatim të ngadaltë dhe joefektiv të legjislacionit.

“Për fat të keq, kapacitetet e institucioneve janë të pamjaftueshme, në radhë të parë për sa i përket kualifikimeve të punonjësve dhe njohurive të tyre. Pavarësisht ekzistimit të të dhënave për cenueshmërinë më të theksuar ndaj ndryshimeve klimatike, fatkeqësisht nuk ka aktivitete specifike për ngritjen e kapaciteteve për parandalim dhe reagim të duhur në situata krize. Gjithashtu, nuk janë bërë mjaftueshëm hulumtime komplekse që do të përcaktojnë korrelacione të caktuara. Rajonet që kanë ekspozimin më të madh ndaj ngjarjeve ekstreme, pra janë më të prekshmet ndaj ndryshimeve klimatike, janë rajonet e Vardarit, Lindjes dhe Verilindore. Fatkeqësisht, pikërisht në këto rajone, një numër i madh i komunave nuk kanë përgatitur plane për ballafaqim me rreziqet nga fatkeqësitë natyrore”, thotë Stojanovski.

Ai thekson se disa aktivitete që synojnë mbrojtjen nga efektet e ndryshimeve klimatike janë zbatuar pjesërisht përmes projekteve. Për shembull, përmes projektit të USAID-it Strategjitë Komunale për Ndryshimet Klimatike, tetë komuna morën mbështetje për të adresuar sfidat e ndryshimeve klimatike. Bëhet fjalë për Bogdancin, Mavrovë-Rostushën, Tearcën, Studeniçanin, Pehçevën, Vinicën, Krivogashtanin dhe Bogovinën. Në kuadër të projektit, për komunat e përmendura janë zhvilluar strategji për ndryshime klimatike, por Stojanovski konsideron se pyetja e vërtetë është nëse dhe në çfarë mase janë zbatuar ato.

Për sa i përket ndjeshmërisë dhe cenueshmërisë ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike, siç janë ngjarjet ekstreme të motit, sektori i bujqësisë është veçanërisht i prekshëm. Në shtator 2021, për nevojat e Komunikatës së katërt kombëtar për ndryshimet klimatike, u përgatit një Raport sektorial mbi cenueshmërinë dhe përshtatjen për sektorët e bujqësisë dhe pylltarisë.

Si pjesë e këtij raporti, komunat janë renditura sipas cenueshmërisë së tyre ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe kapacitetit të tyre për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike. Në bazë të këtyre kritereve, u konstatua se komunat me kapacitet më të vogël adaptues janë Rankovca, Karbinci, Vasileva, Kratova dhe Kriva Pallanka, të cilat gjenden në rajonin planor lindor dhe verilindor. Përveç forcimit të qëndrueshmërisë së infrastrukturës për t’iu përgjigjur ngjarjeve ekstreme, është veçanërisht e rëndësishme në rajonet ku bujqësia është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë lokale të mendohet për rritjen e kulturave të reja bujqësore më rezistente ndaj kushteve klimatike në zhvillim.

“Në ueb-faqen https://klimatskipromeni.mk/ janë të disponueshme dokumentet strategjike kombëtare nga kjo zonë, si dhe më shumë analiza dhe hulumtime që ndër të tjera i referohen cenueshmërisë dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Sektori civil në vend është gjithashtu mjaft aktiv në zbatimin e projekteve dhe realizimin e hulumtimeve të veta. Qendra për ndryshime klimatike aktualisht është duke punuar në një analizë të ngjarjeve ekstreme të motit në Maqedoni në 20 vitet e fundit. Sipas informacioneve fillestare, frekuenca e zjarreve në muajt e verës është e madhe, po ashtu janë të shpeshta edhe shirat e rrëmbyeshëm që shkaktojnë vërshime”, thotë Stojanovski.

Ai shton se duhet theksuar se shumica e komunave kanë nivel të ulët të vetëdijes për investimin në staf adekuat dhe qëndrueshmëri të infrastrukturës si dhe përgatitjen e planeve për përballimin e rreziqeve. “Prandaj duhet të punojmë në radhë të parë në ngritjen e vetëdijes së vendimmarrësve në nivel lokal dhe kombëtar”, thotë Stojanovski.

Kujtojmë se përmbytje me dëme materiale dhe viktima për shkak të shirave të dendur, thatësira dhe valë të gjata të të nxehtit që i shkatërrojnë fushat e mbjella me kultura bujqësore dhe të korrat e bujqërve, zjarre nëpër pyje që shkatërrojnë hapësira të mëdha me drunj, shfaqje e sëmundjeve tropikale të harruara, sezone të dështuara turistike në qendrat e skijimit për shkak të mungesës së borës dhe temperatura të ulëta janë vetëm një pjesë e pasojave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike të cilat po i ndjen vendi ynë. Maqedonia i kaloi të gjitha këto sfida serioze në vitet e kaluara, por çështja e vërtetë është se sa të përgatitur janë autoritetet kompetente për tu përballur me fatkeqësi të tilla.

Dy vite më parë një bujë të madhe bëri informacioni i publikuar në Prizma.mk se në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) ka vetëm një të punësuar detyrë kryesore e punës të së cilit është përballja me ndryshimet klimatike. Në analizën për kapacitetet institucionale të administratës shtetërore nga viti 2020 thuhet se në dhjetëra institucione kyçe për çështjen e ndryshimeve klimatike punojnë mbi 170 persona, por për 40 prej tyre kjo është një detyrë paralele e punës, ndërsa për rreth 130 është një detyrim shtesë paralel me detyrat e tyre kryesore të punës që i kanë nga një fushë tjetër.

Nga këndvështrimi aktual, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sqaruan se në ministrinë e tyre është bërë një riorganizim, në vitin 2022 është emëruar udhëheqës i departamentit të klimës, ndërkohë që në këtë departament ka dy të punësuar. Megjithatë shumë vende kanë përparuar shumë gjatë këtyre viteve të fundit, ndërsa shembulli më i afërt është Greqia fqinje. Pas zjarreve të tmerrshme që e kapluan në vitin 2021  fqinji jonë jugor vendosi të reformojë institucionet e atëhershme dhe të gjithë sistemin duke krijuar Ministrinë e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile dhe për ministër e emëroi Christos Stylianides.