Në Maqedoninë e Veriut u regjistrua rritje e rrogës mesatare për 7.1 përqind gjatë korrikut, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, transmeton Portalb.mk.
“Paga mesatare mujore neto për të punësuar, gjatë muajit korrik të vitit 2026, është 48 499 denarë. Në muajin korrik të vitit 2026, krahasuar me muajin korrik të vitit 2025, paga mesatare mujore neto për të punësuar është më e lartë për 7.1%”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave, ndërsa rroga bruto ka arritur deri 72 935 denarë.
Kjo rritje është më së shumti për shkak rritjes së rrogës në veprimtaritë financiare dhe të sigurimit (10.7 %), furnizimi me ujë (10.4 %) dhe veprimtaritë e patundshmerisë (9.6 %).
Në sektorin e informimit dhe komunikimit, rroga mesatare mujore arriti deri 89 532 denarë.