Shkolla në Alldançe të Krushevës në gjendje të mjerueshme, MASH dhe Komuna pa zgjidhje konkrete (Video)
Në objektin e vjetër të shkollës “Nikolla Karev” në Alldançe të Krushevës, nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë përballen me kushte të vështira. Bankat dhe muret janë të dëmtuara, tualetet në gjendje të keqe, ndërsa mungojnë ngrohja dhe salla sportive. Mësimdhënësit thonë se për përmirësimin e kushteve janë bërë premtime, por pa rezultate konkrete. Nga MASH njoftojnë se nuk kanë pranuar iniciativë për investim në këtë shkollë, ndërsa Komuna e Krushevës pret përfundimin e Planit Urbanistik për të përcaktuar ndërhyrjet dhe mënyrën e financimit, shkruan Portalb.mk.
Mësimdhënësi i kësaj shkolle, Qenan Huseini, thotë se kushtet në objekt ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e procesit mësimor. Sipas tij, hapësirat e vogla e vështirësojnë punën me nxënësit.
“Kushtet, siç i patë edhe vetë, me të vërtetë janë të mjerueshme. Ndikojnë shumë në procesin arsimor, sepse hapësira në një klasë është shumë e vogël dhe mësimi nuk mund të zhvillohet siç duhet kur ka shumë nxënës. Brenda, hapësira e gjithë shkollës është në gjendje kritike”, tha Huseini.
Ai thotë se kanë dërguar kërkesë edhe në Komunë për përmirësimin e kushteve në shkollë, por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë.
“Na kanë premtuar shumë se do të investojnë, jo vetëm në këtë shkollë, por edhe në shkollat tjera, të Nerovës, Alldançes, Bresillës, Borinës dhe tash presim akoma investim. I kemi adresuar këto te institucionet, thonë se do të bëhet, por kur, nuk e dimë”, thotë ai.
Objekti i shkollës në Alldançe është ndërtuar në vitin 1947. Gjatë viteve janë bërë disa renovime të vogla, kryesisht në dritare dhe dyer, ndërsa pjesa tjetër e objektit ka mbetur kryesisht e pandryshuar.
“Infrastruktura e shkollës është ajo çka është, është nga viti 1947 e ndërtuar dhe paramendoni në çfarë gjendje mund të jetë ndërtesa. Ka pasur disa renovime të vogla, me ndërrimin e dritareve apo dyerve, por kryesisht objekti është ai”, theksoi Huseini.
Për kushtet në të cilat zhvillohet mësimi flasin edhe nxënësit. Njëri prej tyre thotë se aktivitetet sportive i zhvillojnë jashtë, ndërsa problem mbeten edhe tualetet.
“Nuk kemi sallë sportive, luajmë në beton. Nuk kemi as ulëse të reja, ndërsa pastërtia është, siç e shikoni vetë, e keqe. Kemi edhe probleme me tualetet, nuk kanë dyer dhe janë të papastra”, thotë një nxënës.
Një nxënës tjetër përmend gjendjen e bankave dhe mureve, si dhe mungesën e ngrohjes gjatë dimrit.
“Kushtet i kemi shumë keq këtu në shkollë. Nuk kemi ku të mësojmë. Bankat janë të thyera, muret janë të dëmtuara, s’kemi ngrohje dimrit, nuk kemi as tualete të mira”, tha ai.
Për gjendjen në shkollën e Alldançes, Portalb.mk kërkoi përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Komuna e Krushevës.
Nga MASH thonë se investimet kapitale në shkolla planifikohen në bazë të iniciativave që dorëzojnë komunat dhe se, për shkollën në Alldançe, “deri më tani, në MASH nuk është dorëzuar iniciativë për këtë shkollë”.
Komuna e Krushevës, ndërkaq, thotë se është e njoftuar me gjendjen e objektit dhe nevojën për përmirësimin e kushteve. Sipas Komunës, para se të ndërhyhet në objekt duhet të përfundojë dhe miratohet Plani Urbanistik për fshatin Alldançe.
“Përfundimi i tij do të mundësojë vazhdimin e aktiviteteve konkrete dhe përcaktimin e mënyrës së veprimit me objektin ekzistues shkollor”, thonë nga Komuna.
Nga atje shtojnë se pas miratimit të planit do të përgatitet dokumentacioni i nevojshëm projektues, përmes të cilit do të përcaktohen gjendja e objektit dhe ndërhyrjet e nevojshme. Komuna nuk jep afat konkret për fillimin e punimeve dhe as shumën e mjeteve që do të nevojiten.
Problemet me kushtet në shkollat e kësaj pjese të Krushevës nuk janë të reja. Përveç Alldançes, edhe shkollat në Nerovë, Bresillë dhe Borinë ndër vite janë përballur me kushte të vështira dhe mungesë investimesh. Renovimet dhe përmirësimi i kushteve janë paralajmëruar disa herë nga institucionet, por për shumë prej tyre ende nuk ka zgjidhje konkrete.