Vazhdojnë protestat paralajmëruese të punonjësve të MIA-së

Edhe sot në kohë të pauzës, punëtorët e Agjencisë Informative Mediatike – MIA për të pestën herë dolën në protestë paralajmëruese para hapësirave të Agjencisë, raporton Portalb.mk.

Ata, sot i kanë përsëritur kërkesat e tyre për rritjen e rrogave dhe shlyrjen e kostos të jetesës, pasi këto kërkesa nuk ishin në rendin e ditës të seancës së qeverisë që u mbajt të martën.

Të punësuarit e MIA-s informuan se pas rritjes së ngjarjeve të pafavorshme , do të rishqyrtojnë forma tjera të reagimit, gjegjësisht kalimin e protestës në një fazë të re, e cila mund të para supozojë ndërprerjen e një periudhe të caktuar të shpërndarjes së lajmeve, informojnë nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SPGM).

“Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punëtorëve të medias që nga fillimi i përkrah kolegët në MIA sepse konsideron se kërkesat e tyre janë plotësisht reale dhe paralajmëron se Agjencia ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në informimin e përgjithshëm të mediave në vend”, tha SPGM.

Nga sindikata shtuan se gazetarët dhe mediat në agjenci presin që sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të mos ketë implikime shtesë në të gjithë hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut.

Rikujtojmë se MIA është media multimediale që prodhon lajme në tri gjuhë, ka rrjetin më të madh korrespondentësh dhe raporton për të gjitha ngjarjet në Maqedoni, por edhe për ngjarjet në botë. Agjencia bashkëpunon si me mediat rajonale ashtu edhe me ato botërore, ndaj roli i saj është i një rëndësie të madhe për të gjithë vendin dhe veçanërisht për skenën mediatike.