Siljanovska-Davkova: Ende jam duke menduar se nëse do të kandidohem për zgjedhjet presidenciale

Gordana Siljanovska-Davkova, e cila në zgjedhjet e kaluara presidenciale ishte kandidate e VMRo-DPMNE-së, thotë se ende është duke menduar se nëse do të kandidohet për zgjedhjet presidenciale, njofton Portalb.mk.

Në emisionin “Vetëm intervistë në Kanal 5, Siljanovska-Davkova sonte deklaroi se ka biseduar në këtë temë me liderin e VMRO-DPMNE-së, por që ende nuk ka sjellë vendim përfundimtar.

“Ende nuk e di, jam duke menduar përmes prizmit të jetës time. Ende nuk ka vendim përfundimtar”, tha Siljanovska-Davkova.

Shtoi se secili mund të kandidohet për kandidat presidencial i VMRO-DPMNE-së dhe se do të duhet të prezantohet me programin e tij në konventë, por që vendimin e fundit do ta sjellin delegatët.

Edhe presidenti aktual i shtetit Stevo Pendarovski para pak kohësh informoi që në fund të muajit shkurt do të kumtoj se nëse ai do të kandidohet për mandatin e dytë të presidencës.

Kujtojmë se partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve  presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, poashtu e mërkurë.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.