Presidenti Pendarovski tregoi kur do të shpalos vendimin e tij në lidhje me kandidimin për mandatin e dytë në presidencë

Në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në pjesën e parë të vitit 2024, akoma nuk dihet nëse do të kandidon presidenti aktual Stevo Pendarovski për mandatin e dytë, transmeton Portalb.mk.

“Nëse konstantat dhe parametrat përputhen dhe janë në rregull, nënkuptohet mbështetja partiake – herën e fundit kam pasur mbështetje nga 31 parti politike pas meje, por të shohim tash eventualisht sa do të kem, pastaj rejtingu im, pastaj forcat e partive që do të qëndrojnë pas meje, dhe nëse përputhet kombinimi, atëherë nuk ka rëndësi kush është në anën tjetër”, deklaroi Pendarovski sot në deklaratën për Kanal5 në emisionin “Vetëm intervistë”.

Pendarovski theksoi që në fund të muajit shkurt në vitin 2024, ai do të tregon nëse do të kandidon për mandatin e dytë të presidencës, duke vlerësuar që elektorati i VMRO-DPMNE-së është ndër votuesit më të disiplinuar në Maqedoni.

Ndryshe, presidenti aktual Stevo Pendarovski ende nuk ka sjellë vendim se nëse do të kandidohet për mandat të dytë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të caktuara për më 24 prill dhe për më 8 maj.

Më 6 dhjetor, ai në forumin e hapur kundër korrupsionit, kishte deklaruar se nuk planifikon të kandidojë për një mandat të ri. Ai i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve duke mos thënë pse, ai vetëm shkurt është përgjigjur se nuk planifikon të kandidojë sërish për president në zgjedhjet e planifikuara për 8 maj të vitit të ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

Kujtojmë se partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve  presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, poashtu e mërkurë.

Kovaçevski tha se 100 ditë para zgjedhjeve ose më 28 janar do të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.