Komuna e Tetovës hesht për punimet në Rrugën e Butiqeve në Tetovë, punë në terren nuk ka

Kanë kaluar më shumë se një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes për rikonstruimin e rrugës së Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq) e cila bëhet në kuadër të programit IPA, ndërsa punimet në teren nuk kanë filluar ende. Që të marrim informacionin se punimet pritet të fillojnë në mes të këtij muaji u desh të shkojmë deri te Zyra e BE-së në Kosovë si autoritet kontraktues pasi Komuna e Tetovës si subjekt përgjegjës hesht në pyetjet gazetareske, shkruan Portalb.mk.

Punimet për rikonstruimin e kësaj rruge prej rreth 420 metrave fillimisht u shtynë për shkak se duhej të aprovohej një shtesë në buxhet pasi projekti ka kushtuar më tepër se sa ishe parashikuar. Megjithatë në terren ende nuk ka lëvizje.

Komuna e Tetovës nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske të Portalb.mk në lidhje me këtë projekt.

Pasi ky institucion hesht, u drejtuam te Delegacioni i BE-së në RMV. Ata theksuan se autoriteti kontraktues për këtë projekt është Zyra e BE-së në Kosovë.

Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga Zyra e BE-së në Kosovë theksuan se punimet pritet të fillojnë nga mesi i këtij muaji.

“Sipas informacioneve nga stafi i projektit në Komunën e Tetovës, kontrata me kompaninë ndërtimore është nënshkruar, ndërsa puna pritet të fillojë në mesin e shkurtit 2024, për t’u finalizuar deri në fund të majit 2024”, thanë nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Ata njoftojnë se sipas përditësimit të fundit, projekti është planifikuar të përfundojë më 14 korrik 2024, me një buxhet total prej 666,515.62 Euro.

“Kontributi i BE-së është 542,451.19 Euro, që përbën 81.39% të kostos së projektit. Buxheti i mbetur mbulohet nga përfituesit. Komuna e Tetovës merr pjesë në koston e përgjithshme të projektit me gjithsej 60,782,55 euro”, theksuan nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Se 14 korriku është afati i fundit për realizimin e projektit e konfirmojnë edhe nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e RMV-së.

“Sipas informacioneve nga personi përgjegjës në komunën e Tetovës, të gjitha punët administrative janë kryer në tërësi, konform procedurave të Bashkimit Evropian dhe nga personi juridik që është përzgjedhur për të realizuar projektin ka garanci se punimet do të përfundojnë brenda afatit të caktuar. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale siguron bashkëfinancimin kombëtar në masën 15% të kostove të njohura për zbatimin e projektit”, thanë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Rikonstruimi i Rrugës së Butiqeve është i paraparë të bëhet përmes bashkëfinancimit të projektit të IPA programit ndërkufitar me Kosovën 2014-2020 “Ringjallje e zejeve dhe ndërtim të kulturës për zhvillim të përbashkët turistik”, ku është i kyçur edhe Prizreni.

Marrëveshja për rikonstruimin e kësaj rruge u nënshkrua me 30 nëntor 2022 nga kryetari i Komunës së Tetovës dhe ministrit të Vetëqeverisjes Lokale.

Me këtë projekt pritet që të ruhet identiteti dhe autenticiteti i Rrugës së Butiqeve apo i Çarshisë së Epërme. Kjo rrugë në të kaluarën ishte shumë e njohur dhe e frekuentuar nga qytetarët për artizanalet megjithatë sot bizneset që ndodhen aty nuk kanë punë sikur para disa viteve.