Shumë pak shfrytëzohet Aeroporti i Ohrit

Kapacitetet e Aeroportit të Ohrit shfrytëzohen shumë pak. Aeroporti i ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë synonte të sillte më shumë vizitorë dhe të ardhura më të mira në rajon, shkruan Alsat. Por, vetëm disa linja të rregullta gjatë gjithë vitit nuk janë të mjaftueshme, sipas punonjësve të turizmit.

Nga këtu mund të fluturosh në Vjenë, Malme, Memingen dhe Zyrih.

“Ne kemi kushte ideale përmes aeroportit për t’u lidhur edhe me qytetet kroate. Tashmë kemi një linjë Ohër-Beograd, katër herë në javë. Mendoj se do të jetë e nevojshme të aplikohen linja të reja ajrore në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Aeroporti duhet të vlerësohet në më shumë drejtime dhe me më shumë linja dhe pa marrë parasysh se sa investohet, gjithçka do të kthehet sepse ata njerëz do të jenë konsumatorë të shërbimeve tona”, tha Mihailo Filev – punëtor turistik.

Një grup prej pesëdhjetë turistësh kroatë që qëndruan për disa ditë në Ohër duhej të zbritnin në Shkup, dhe prej andej të udhëtonin nëpër autostradën e papërfunduar nga Kërçova.

“Shërbimi ajror për në Ohër do të ishte sigurisht shumë i mirë sepse ne udhëtuam këtu për 12 orë, duke kaluar dy kufij. Nëse do të ishim në aeroplan, ajo rrugë me siguri do të ishte më e shkurtër. Si agjenci, ne punojmë shumë me Ohrin, përmenden gjithashtu Manastiri dhe Shkupi, por Ohri është numri një.”

Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, Ohri lidhej edhe nga ajri me Dubrovnikun, kështu që disa nga mysafirët e huaj që kanë qëndruar në një nga këto dy destinacione, kanë ardhur në Ohër ose Dubrovnik për disa ditë.

Rajoni rreth liqenit të Ohrit po bëhet më tërheqës çdo vit, por arritja këtu do të jetë shumë më e thjeshtë nëse numri i fluturimeve rritet, vlerësojnë agjencitë e udhëtimit.

“Kemi paralajmërime të mëdha. Numrat që i kemi pasur vitin e kaluar,  janë rritur për përafërsisht 30-40 për qind, si rezervimet, grupet.. Numrat po rriten dhe shpresojmë se do të kemi një sezone të suksesshme”, tha Jakim Milenko, pronar i agjencisë turistike.

Për momentin, nuk ka një njoftim kur saktësisht do të vendoset linja ajrore direkte Ohër-Stamboll. Gjatë verës, ka fluturime për Ohër nga Holanda, Polonia, Serbia, Anglia, Belgjika dhe disa vende të tjera.