Deputeti i Bundestagut pas komenteve të Escobarit: Këshilli i Evropës vendos vetë për kriteret e anëtarësimit

Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, tha të premten se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të vendosë në mënyrë të pavarur mbi kriteret e anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm, raporton VOA.

Ai i bëri këto komente pas deklaratës së të dërguarit amerikan Gabriel Escobar i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se pas përmbushjes së kërkesës nga Kosova për zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit mesjetar të Deçanit, janë edhe dy kushte të tjera për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zoti Escobar tha se zbatimi ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë dhe “do të ketë efekt. Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri ka të bëjë me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni (i komunave me shumicë serbe)”.

Por deputeti gjerman, Knut Abrahams shkroi në platformën X se “vlerësojmë shqetësimet e Escobarit, por mund ta sigurojmë atë se Asambleja Parlamentare do të vendosë në mënyrë të pavarur për kriteret e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe do të vlerësojë përmbushjen e tyre. SHBA-ja s’do t’i përmbushte këto kritere për shkak të dënimit me vdekje”, shkroi ai.

Qeveria e Kosovës vendosi zbatimin e vendimit me të cilin manastirit mesjetar, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, meqë lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi “të çuditshëm” dhe “të padrejtë” vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por theksoi se “nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike por edhe një hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE për Kosovën e pavarur”.