Shukova: Nuk e dimë nëse do të ketë arbitrazh për “Ilovica-Shtuka”, është vetëm supozim

Nuk është e pazakontë që cilido qoftë ministër të kërkojë që një vendim të rishqyrtohet nga Qeveria, siç ishte rasti me vendimin për bashkimin e koncesioneve për minierën e arit dhe bakrit Ilovica-Shtukë, tha sot ministrja e Mjedisit, Kaja Shukova, transmeton Portalb.mk.

Ajo theksoi se për momentin nuk dihet me siguri nëse do të hapet procedurë arbitrazhi për rastin dhe se tani është vetëm supozim. Ministrja bën me dije se Qeveria i ndjek ngjarjet dhe punon sipas ligjeve dhe beson se nëse investitori hap një procedurë të tillë, rezultati nuk do të jetë barrë e qytetarëve.

“Në seancën e fundit të Qeverisë, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi shpjegoi në detaje të gjithë procedurën që ka të bëjë me minierat në gati dy dekadat e kaluara dhe Qeveria vendosi të anulojë vendimin për shkrirjen e koncesioneve të Euromax Resources. Se si do të vazhdojë procedura varet nga Ministria e Ekonomisë”, tha Shukova.

Dy ditë më parë qeveria anuloi vendimin për bashkimin e dy koncesioneve për minierën e arit dhe bakrit “Ilovica-Stuka” dhe më pas ministri i Ekonomisë Bekteshi tha se ishte një rikthim në situatën kur nuk kishte asnjë vendim për kërkesën e “Euromax Resources”.

Ai theksoi se disa institucione shtetërore dhe vendore prej vitesh kanë mendime pozitive për investimin e mundshëm, megjithëse, siç tha ai, nëse miratohet një akt që hapja e një miniere është në kundërshtim me standardet e mbrojtjes së mjedisit dhe rrezik potencial për ujin, tokën dhe pyjet, siç thuhet, atëherë ministria e tij do të ketë arsye për të ndërprerë menjëherë koncesionet.

Më herët, në qershor, Qeveria mori vendim për bashkimin e dy koncesioneve të “Euromax Resources”, gjë që shkaktoi revoltë te qytetarët, ndërsa shoqatat ekologjike nga rajoni organizuan protestë në Strumicë. Ata kanë përshëndetur dje vendimin e Qeverisë për të mos lejuar bashkimin e koncesioneve dhe kanë kërkuar që ato të shfuqizohen përfundimisht.

Kujtojmë se sipas një hulumtimi të Laboratori i Gazetarisë Ivestigative (IRL), ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi e ka mashtruar kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kolegët e tij ministra me arsyetimin se Gjykata Administrative ka marrë vendim për bashkimin e dy koncesioneve për minierën e Illovica Shtuka, prandaj Qeveria dhe të gjithë ministrat votuan pro bashkimit,. Në tekstin e publikuar tre ministra pretendojnë se nga ministria përkatëse u janë prezantuar materiale të cilave u kanë besuar dhe për këtë arsye kanë votuar pro vendimit.

Për shkak të këtij vendimi më 15 korrik në Strumicë u mbajt një protestë e organizuar.

Sipas hulumtimit, seancën e ka udhëhequr njeriu i parë i Qeverisë, kryeministri Dimitar Kovaçevski, së bashku me zëvendësin e tij të parë, Artan Grubin. Të pranishëm kanë qenë të gjithë ministrat, ndërsa shkrirja e koncesioneve për nxjerrjen e  lëndëve të para minerale e të “Euromax Resources” nuk ka qenë si pikë në rend dite, por është shtuar si propozim shtesë nga ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Asnjë nga ministrat nuk ka votuar kundër.