Kovaçevski: Do ta thërras Arsovskën në takim që t’i ndihmojmë sepse Shkupi nuk ngjan në asgjë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha sot se do ta thërrasë në takim kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska. Sipas tij, në kryeqytet nuk po ndërtohet asgjë, të gjitha projektet janë në ngecje dhe përgjegjësi për këtë janë VMRO-DPMNE dhe Arsovska, transmeton Portalb.mk.

“Opozita mburrej se do ta bëjë Shkupin metropol, por për fat të keq, shikoni se çfarë është sot. Asgjë që është nisur nuk mund të rregullohet dhe për këtë kam në plan të thërras kryesinë e Qytetit të Shkupit që të mendojnë se çfarë mund të bëjmë ne si Qeveri për të ndihmuar, sepse qytetarët e Shkupit meritojnë të jetojnë në një metropol, dhe nuk meritojnë që VMRO- DPMNE dhe kandidati i tyre të zihen çdo ditë se kush kishte të drejtë”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për vendosjen e gurthemelit të një stacioni policor në Aerodrom.

Danella Arsovska u bë kryetare e Shkupit si kandidate e pavarur e mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe bashkëpunimi i tyre zgjati një vit, derisa i shkarkoi drejtorët e ndërmarrjeve publike të Shkupit që ishin kuadër i VMRO-DPMNE-së, duke i akuzuar se i kishte kapur “me duar në mjaltë” “.

Vitin e kaluar në nëntor, Kovaçevski njoftoi se qeveria mund t’i heqë ingerencat Arsovskës për disa projekte të mëdha, si rindërtimi i Sallës Universale, ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza për Shkupin, BRT, ndërkëmbimi në Momin Potok dhe projekte të tjera infrastrukturore, sepse siç tha ai nuk është bërë as një milimetër nga këto. Por ingerencat nuk i janë marrë.