Ministrja Shukova do të marrë pjesë në protestën kundër minierës Ilovica-Shtuka

Ministrja e Mjedisit Jetësor Kaja Shukova do të dalë në protestën e nesërme në Strumicë, të organizuar nga shoqata civile “Zdrava kotlina”, kundër hapjes së minierës Ilovica-Shtuka, trandmeton Portalb.mk.

Ministrja tha sot se personalisht është kundër hapjes së një miniere në një zonë bujqësore dhe se prodhimi ushqimor duhet të jetë gjithmonë prioritet ndaj industrive shumë ndotëse.

“Nesër do të jem në Strumicë dhe do t’i bashkohem protestës. Dua të dëgjoj qytetarët dhe të jem pjesë e këtij procesi. Në koordinim me kryeministrin dhe ministrat e tjerë do të rishqyrtojmë vendimin për bashkimin e dy koncesioneve. Ne jemi një vend i vogël dhe mendoj se bujqësia duhet të jetë prioriteti ynë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur japim leje shfrytëzimi për industrinë shumë ndotëse”, tha Shukova.

Ajo theksoi se i kupton shqetësimet e qytetarëve dhe shtoi se qëndrimi i saj personal është identik me atë të tyre, kundër hapjes së minierave të reja në vend, veçanërisht në një zonë bujqësore. Shukova theksoi se prodhimi i ushqimit duhet të zhvillohet dhe se ky duhet të jetë prioriteti ynë, gjë që shteti po e bën aktivisht vitet e fundit dhe që ka rezultuar me sukses të madh në zbatimin e programit IPARD në vend, i cili tashmë po fillon me ciklin e tretë.

Shukova deklaroi se studimet e ndikimit në mjedis nuk janë sekret, por ministria nuk ka marrë kërkesë për një procedurë të tillë të vlerësimit të ndikimit. Ajo theksoi se nëse do të arrijë në atë fazë do të shqyrtohet me shumë seriozitet dhe kujdes dokumenti, si dhe procesi që do të ofrohet për shfrytëzimin e xehes në atë rajon. Ajo theksoi gjithashtu se tashmë janë konsultuar ekspertë të fushës dhe kanë konfirmuar se është një industri e rëndë dhe ndotëse, për të cilën kërkoi nga të gjitha palët e interesuara që të kenë shumë kujdes në proces.

Protesta e banorëve të tri komunave nga juglindja – Strumicë, Bosilovë dhe Novosellë do të organizohet nesër në ora 11:00 në udhëkryqin në qendër të Strumicës, pranë tregut të qytetit “Global” dhe është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të qeverisë për bashkimin e koncesioneve për minierën “Ilovica-Shtuka” pasi Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për njërin prej koncesioneve.

Me këtë vendim, qeveria edhe një herë i hapi rrugën realizimit të synimeve për nxjerrjen e arit dhe bakrit në luginën e Strumicës. Më herët, në shkurt të këtij viti, Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për një nga koncesionet, pasi Gjykata e Lartë Administrative në tetor të vitit të kaluar e ktheu çështjen në rivendim për herë të tretë. Ajo ka shkaktuar reagime te banorët e tre komunave të qarkut dhe organizatat e shoqërisë civile që prej disa vitesh luftojnë për ruajtjen e këtij rajoni bujqësor.