Shtohen rastet me grip, Kovid dhe ftohje në RMV

Numri i qytetarëve të prekur nga gripi, Kovidi si dhe ftohjet periudhën e fundit në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rritje, raporton Portalb.mk.

Simptomat më të shpeshta të paraqitura te qytetarët janë temperatura të larta, kolla, dhimbje të trupit dhe të tjera.

Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, në të gjithë vendin numri i të infektuarve është rritur me 15 përqind krahasuar me javën e kaluar.

Deri më tani janë regjistruar gjithsej 3500 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 13 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar.

“Vihet re një rritje e numrit të sëmundjeve të ngjashme me gripin, i cili për herë të dytë këtë sezon është mbi kufirin javor për aktivitetin sezonal. Rezultatet e marra nga mbikëqyrja virologjike e gripit tregojnë aktivitet të gjerë të virusit të influencës. Sipas këtyre të dhënave, Republika e Maqedonisë së Veriut ka një përhapje të gjerë gjeografike intensitet të lartë të virusit të gripit”, thuhet në Raportin e Institutit të Shëndetit Publik.

Numri më i madh i të sëmurëve është nga mosha 15 deri në 64 vjeç dhe incidenca është më e lartë tek fëmijët deri në 4 vjeç.

Deri më tani me vaksinë falas dhe komerciale janë vaksinuar 60 mijë e 900 qytetarë.