Këtë vit nga ethet e Nilit Perëndimor në RMV janë prekur gjithsej 38 persona, ndërsa kanë vdekur katër

Nga fillimi i këtij viti deri më 18 gusht, janë regjistruar gjithsej 38 raste të etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa gjatë këtij viti janë evidentuar 4 raste vdekjeje te pacientët me sëmundje neuroinvazive të etheve të Nilit Perëndimor, thuhet në raportin javor epidemiologjik për këtë sëmundje, të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.

“Të gjitha rastet e regjistruara në vitin 2026 janë persona te të cilët është konstatuar sëmundje neuroinvazive (encefalit dhe/ose meningjit) dhe të gjithë janë hospitalizuar – 37 në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, ndërsa një në ‘Acibadem Sistina’.

Fillimi i simptomave te shumica e të prekurve, gjithsej 24 persona, është regjistruar gjatë muajit korrik. Në 11 raste, simptomat kanë filluar në muajin gusht, në dy raste në qershor dhe në një rast në maj.

Gjatë vitit 2026, deri më 18 gusht, janë regjistruar 4 raste vdekjeje te pacientët me sëmundje neuroinvazive të etheve të Nilit Perëndimor. Bëhet fjalë për persona të gjinisë mashkullore, të moshës 62 deri në 83 vjeç, nga Shkupi, të cilët ishin hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile. Te tre prej personave që kanë vdekur janë regjistruar edhe sëmundje shoqëruese (komorbiditete)”, thuhet në raport.

Rekomandimet e ISHP-së

Në pjesën e rekomandimeve thuhet se është e nevojshme rritja e ndërgjegjësimit të punonjësve shëndetësorë për këtë sëmundje. Qendrat e shëndetit publik duhet të informojnë mjekët amë, neurologët, pediatrit dhe infektologët në institucionet shëndetësore në vend për shfaqjen e kësaj sëmundjeje.

“Rekomandohet testimi laboratorik për ethet e Nilit Perëndimor te rastet e dyshuara me formë neuroinvazive, siç janë rastet me encefalit, meningjit aseptik, paralizë akute flakcide ose temperaturë me etiologji të papërcaktuar.

Rekomandohet komunikim i përditshëm me laboratorët që kryejnë testimet për ethet e Nilit Perëndimor (mbikëqyrje aktive), hetimi i të gjitha rasteve të raportuara me qëllim përcaktimin e vendit të mundshëm të ekspozimit, faktorëve të rrezikut dhe ashpërsisë së sëmundjes, si dhe komunikim me spitalet për përditësimin e përditshëm të gjendjes shëndetësore të pacientëve të hospitalizuar”, thuhet në rekomandime.

Ethet e Nilit Perëndimor janë regjistruar për herë të parë në Maqedoni në vitin 2011. Nga viti 2011 deri në fund të vitit 2025, janë regjistruar gjithsej 54 raste të konfirmuara laboratorikisht, ndërsa në të njëjtën periudhë janë regjistruar pesë raste vdekjeje të lidhura me këtë sëmundje.

Në vitin 2026 është regjistruar një rritje e konsiderueshme krahasuar me numrin e përgjithshëm të rasteve të regjistruara gjatë periudhës 2011–2025. Nga gjithsej 92 raste të regjistruara nga viti 2011 deri më sot, 38 raste (41.3%) janë regjistruar vetëm gjatë vitit 2026.

Në vitin 2026, në Maqedoni është regjistruar një rritje e ndjeshme e rasteve të virusit të Nilit Perëndimor (WNV) krahasuar me vitet e mëparshme. Rastet janë përqendruar kryesisht në Rajonin e Shkupit, me numrin më të madh në komunat Kisella Vodë dhe Gazi Babë.

Shpërndarja kohore tregon intensifikim të transmetimit gjatë korrikut dhe fillimit të gushtit. Përqendrimi hapësinor dhe kohor i rasteve, së bashku me epideminë e raportuar në komunat Kisela Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel, tregojnë për qarkullim aktiv lokal të virusit të Nilit Perëndimor dhe nevojën për mbikëqyrje të vazhdueshme epidemiologjike dhe masa për kontrollin e vektorëve.

Situata në Evropë

Sipas informacioneve të fundit të disponueshme për ethet e Nilit Perëndimor nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), që nga fillimi i sezonit të transmetimit në vitin 2026 dhe deri më 13 gusht, janë identifikuar 77 rajone të prekura nga virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në nëntë vende evropiane.

Këto rajone ndodhen në Itali (40), Greqi (13), Rumani (12), Francë (4), Maqedoni (3), Spanjë (2), Gjermani (1), Kosovë (1) dhe Serbi (1).

Nëntë vendet kanë raportuar gjithsej 429 raste autoktone (të fituara lokalisht) të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor.

Prej tyre, Italia ka raportuar 224 raste, Greqia 105, Spanja 42, Maqedonia 30, Rumania 18, Franca 6, Serbia 2, Gjermania 1 dhe Kosova 1 rast.