Shtatori do të fillojë me edicionin e dytë të Festivalit të Teatrove ‘KU Fest’ në Kumanovë

Prej datës 1-5 shtator, Teatri Ultra i Kumanovës organizon edicionin e dytë të Festivalit të Teatrove, ‘KU-fest’. Gjatë këtyre netëve në skenën e Teatrit të Kumanovës do të ngjiten pesë teatro të ndryshme shqiptare nga Kosova, Beogradi dhe vendi. Shfaqjet për çdo natë fillojnë nga ora 20:00, përveç natës së parë dhe të fundit në ora 19:30, shkaku i ndarjes së çmimeve dhe hapjes solemne, shkruan Portalb.mk.

Festivalin do ta hap trupa e Teatrit Shqiptar Shkup, me shfaqjen “Të rresh a të mos rresh”, përshtatur nga “The lying kind”, të autorit Anthony Neilson, nën regji të Shkumbin Istrefit.

Natën e fundit të festivalit, gjegjësisht më 5 shtator, do ta përmbyll Teatri i Tetovës me shfaqjen “Pacienti i Doktor Frojdit”, nën regji të Gent .M Çajani.

Qazmedin Nuredini pjesë e stafit organizativ të festivalit për Portalb.mk tha se qëllimi i këtij festivali është të shndërrohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore në vendin tonë dhe në rajonin e Ballkanit.

“Festivalit i Teatrove “KU-fest”, ka për qëllim të promovojë dhe zhvillojë artin skenik në qytetin e Kumanovës dhe më gjerë, duke sjell vlera artistike dhe kulturore. Të krijojë mundësi ku artistët e rinjë mund të shprehin talentin e tyre kreativ, bashkëpunim mes artistëve vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe të nxisë përfshirjen e publikut në jetën kulturore. Vizioni i këtij Festivali është të shndërrohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore në vendin tonë dhe në rajonin e Ballkanit, si dhe, të jetë një platformë e qëndrueshme për promovimin e talentëve të rinj”, tha Nuredini.

Ai edhe më tej shtoi se publiku është forca shtytëse, e cila i detyron ta thyejnë çdo barrierë në shkëmbim për të kontribuar në jetën kulturore.

“Pasi që ky festival sapo ka nisur rrugëtimin e tij, risi në këtë edicion do të jenë, shfaqjet mysafire nga rajoni, puntoritë e ndryshme që do të zhvillohen përgjatë festivalit dhe eventet muzikore që janë të parapara për çdo natë, përderisa zgjatë festivali. Kumanova çdoherë ka pasur një publik të mrekullueshëm dhe vazhdon ta ketë, i cili prej kohësh ka përkrahur artin në përgjithësi. Mendoj se pikërisht reagimi tejet pozitiv i publikut është forca shtytëse, e cila na detyron ta thyejmë çdo barrierë në shkëmbim për të kontribuar në jetën kulturore”, tha Nuredini.

Nuredini edhe më tej theksoi se synimet e tyre janë të kenë më shumë bashkëpunime sepse kjo kontribuon në shkëmbimin e ideve, kulturave dhe në zhvillimin e artit në përgjithësi.

“Siç e përmenda edhe më lart, për këtë vit kemi dy shfaqje nga rajoni. Edhe vet karakteri i Festivalit është ndërkombëtar, dhe synimet tona janë të kemi edhe më shumë bashkëpunime, sepse kjo kontribuon në shkëmbimin e ideve, kulturave dhe në zhvillimin e artit në përgjithësi. Shpresoj që ky festival të ndikojë pozitivisht në nxitjen e krijimtarisë, të frymëzojë artistë të rinjë për ta promovuar punën e tyre. Të shtojë ndërgjegjësimin për teatrin, të nxisë publikun për ta vizituar teatrin dhe të krijojë mundësi bashkëpunimi”, tha Nuredini.

Ai tha se duhet të kenë mbështetje financiare dhe sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë organizimit janë problemet me hapësirat.

”Të pasurohet programi i festivalit edhe në sasi edhe në cilësi. Të ketë mbështetje, të qëndrueshme financiare dhe të rrisë bashkëpunimet ndërkombëtare. Mos sigurimi i mjeteve të mjaftueshme për realizimin e Festivalit dhe mungesa e hapësirës. Teatri i Qytetit është në rinovim tash më katër vite, si duket do të kalojnë edhe aq deri sa të mbarojë renovimi, e kjo po e vështirëson çështjen e hapësirës, sepse të gjitha ndodhitë kulturore janë të përqëndruara në hapësirat e Pallatit të Kulturës”, tha Nuredini.

Ky festival është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit së RMV-së.

Hyrja është me pagesë dhe për të gjithë artdashësit biletat mund t’i gjejnë te Shtëpia e Kulturës në Kumanovë.

Programi i Festivalit “KU-fest”. Foto: “KU-fest” (Facebook)
Programi i Festivalit “KU-fest”. Foto: “KU-fest” (Facebook)