Diana Çuli për Portalb: Të ngriheshe në podium para 120 burrave nuk ishte e lehtë, thoshin çfarë përrallash tregon shkrimtarja

Një nga emrat më të njohur të letërsisë shqiptare, Diana Çuli, është pjesë e edicionit të sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “PRO-ZA Balkan” në Shkup, ku këtë vit është edhe e vetmja autore shqiptare pjesëmarrëse. Në një intervistë për Portalb.mk, Çuli flet hapur për rrugëtimin e saj shumëvjeçar në letërsi, për romanin e ri që sapo ka përfunduar, për gruan shqiptare dhe betejën e saj për më shumë hapësirë në shoqëri, por edhe për përvojën personale në politikë dhe angazhimin për të drejtat e grave. Nga letërsia te politika, nga “Dreri i trotuareve” te “Engjëj të armatosur”, Çuli rrëfen edhe për librat e saj që kanë kaluar kufijtë dhe janë përkthyer në disa gjuhë, si dhe për lidhjen e veçantë që ka krijuar ndër vite me Shkupin dhe lexuesit këtu.

Portalb.mk: Pas një rrugëtimi të gjatë si shkrimtare, gazetare, skenariste, politikane dhe aktiviste, cila është historia që Diana Çuli ende nuk e ka shkruar, por që vazhdon ta mbajë brenda vetes?

Diana Çuli: Unë them se për shkrimtarin historitë nuk mbarojnë kurrë. Edhe nëse ndonjëherë nuk arrij t’i realizoj të gjitha, ato mbeten në mendje. Tani sapo kam përfunduar një roman që e kam mbajtur në dorë për vite me radhë dhe them se është një ëndërr që u realizua, sepse për një kohë të gjatë nuk arrija ta përfundoja. Ndërkohë, në kokë më lindte gjithmonë diçka tjetër. Kështu që, sapo mbaron një projekt, menjëherë vjen tjetri.

Portalb.mk: Si aktiviste dhe mbrojtëse e të drejtave të grave, si e shihni ndryshimin e figurës së gruas në letërsinë dhe shoqërinë shqiptare? A e ka fituar ajo sot hapësirën dhe zërin që meriton?

Diana Çuli: Po, është një pyetje mjaft komplekse. Nëse e shikojmë në përgjithësi, pa hyrë shumë në hollësi, ndryshimi është shumë i madh. Jo vetëm në njëqind vitet e fundit apo që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej, kur në gjithë botën pati një ndryshim shumë të madh, por edhe tridhjetë vitet e fundit kanë sjellë ndryshime të jashtëzakonshme.

Në vitin 2005, kur unë kam qenë në politikë, ishin vetëm dhjetë gra në Parlament. Sot kemi pothuajse gjysmën, kemi rreth 30 për qind gra në politikë, kemi ministre, kryetare bashkie, drejtoresha të niveleve të larta. Pra, është një ndryshim shumë i madh.

Në vitin 2005, madje, mezi arritëm të bënim një ligj për këtë çështje. Kështu që ndryshimi është shumë i madh edhe në vetëdijen e grave dhe kjo është më e rëndësishmja: të ndjesh se duhet të jesh e pavarur dhe se fati yt varet nga duart e tua, jo nga të tjerët.

Portalb.mk: Po ju, si i keni tejkaluar sfidat e shoqërisë me të cilat jeni përballur?

Diana Çuli: Asnjëherë, për asnjë grua, nuk është e lehtë. Edhe pse flasim në mënyrë të përgjithshme, në detaje beteja nuk është asnjëherë e fituar deri në fund. Edhe ato që ke fituar mund t’i humbasësh përsëri, nëse nuk je e vëmendshme, nëse ne nuk jemi të vëmendshme. Kështu që duhet të përballemi gjithmonë me sfidat dhe të mos heqim dorë.

Portalb.mk: Keni shkruar edhe skenarët e filmave “Hije që mbeten pas” dhe “Rrethi i kujtesës”. Ku e gjeni veten më shumë si krijuese, në lirinë që të jep romani apo në gjuhën pamore dhe kufizimet e skenarit?

Diana Çuli: Po, edhe skenari është një sfidë shumë e bukur dhe shumë interesante, por, le të themi, unë jam më tepër shkrimtare romanesh. Më shumë se tregimesh apo skenarësh. Kam shkruar edhe drama, por, prapëseprapë, romanet janë ato ku ndihem më mirë me veten.

Portalb.mk: Na tregoni pak për romanet tuaja të fundit që janë botuar këtu në Maqedoni.

Diana Çuli: Këtu në Maqedoni më janë botuar tre libra në gjuhën maqedonase. Para shumë vitesh u botua romani “Gruaja në kafe” nga shtëpia botuese “Makedonska Reč” dhe kemi bërë edhe promovimin këtu, por tashmë kanë kaluar shumë vite.

Ndërsa këtë vit janë botuar dy romane nga shtëpia botuese e Dejan Trajkovskit, “Engjëj të armatosur” dhe “Vrasja e kryeministrit”. Janë dy romane që janë shkruar gjatë dhjetë viteve të fundit, disa prej tyre edhe pak më herët, dhe tashmë janë përkthyer edhe në vende të tjera të botës.

Për shembull, “Vrasja e kryeministrit” është përkthyer në Itali dhe në Egjipt, ndërsa “Engjëj të armatosur” është botuar tri herë në Itali. Së fundmi ka dalë edhe në gjuhën greke.

Prandaj jam shumë e kënaqur që këto romane kanë pasur sukses edhe këtu në Maqedoni.

Laura Laçi dhe Diana Çuli gjatë intervistës. Foto: Laura Laçi. Portalb.mk
Laura Laçi dhe Diana Çuli gjatë intervistës. Foto: Laura Laçi. Portalb.mk

Portalb.mk: Na thoni disa fjalë për romanin “Engjëj të armatosur”. Çfarë trajtoni përmes kësaj vepre?

Diana Çuli: “Engjëj të armatosur” është një roman që e kam shumë për zemër. Ngjarja zhvillohet gjatë Luftës Antifashiste dhe në qendër është një histori njerëzore, por edhe shumë tragjike.

Personazhet kryesore janë Dorothe Gjika, komisare batalioni, dhe Aleks Lazari, komandant i batalionit. Ata përballen me një gjyq partizan, sepse marrëdhënia e tyre konsiderohet shkelje e normave morale të kohës. Dorothea dënohet me vdekje, ndërsa Aleksi shkarkohet nga detyra.

Përmes fatit të tyre kam dashur të trajtoj përplasjen mes dashurisë dhe rregullave të ashpra të luftës, mes ndjenjës njerëzore dhe ideologjisë. Në roman është edhe Leon Nasta, i cili përpiqet të arrijë në kohë për ta shpëtuar Dorothean.

Pra, nuk është thjesht një roman për luftën. Është edhe një roman për dashurinë, për lirinë individuale dhe për atë që ndodh me njeriun kur normat dhe ideologjia bëhen më të forta se vetë jeta dhe ndjenjat njerëzore.

Portalb.mk: Si romanciere, keni krijuar vepra të njohura si “Dreri i trotuareve”, “Rekuiem”, “Engjëj të armatosur” dhe “Hoteli i drunjtë”. Cili prej këtyre romaneve mbart më shumë nga Diana Çuli dhe ju qëndron më pranë zemrës?

Diana Çuli: Është shumë e vështirë për një shkrimtar të thotë cili është libri më i dashur. Ndonjëherë thua se libri më i dashur është ai i fundit që ke shkruar.

Për lexuesin shqiptar, megjithatë, ka mbetur shumë i dashur “Dreri i trotuareve”, i cili është botuar nga fundi i viteve ’80, para se të binte regjimi. Madje, për një kohë edhe unë e harrova, sepse ishte koha e ndryshimeve dhe askush nuk e kishte shumë mendjen te letërsia.

Por shumë vite më vonë, rreth viteve 1995-1996, fillova të dëgjoja njerëz që më thoshin: “Kemi lexuar ‘Drerin’”. Dhe kjo ndodhte pa u shkruar ndonjë artikull, pa ndonjë promovim të veçantë. Libri kishte vazhduar jetën e vet.

Edhe sot ai është pjesë e leximeve jashtëshkollore në programet e Ministrisë së Arsimit. Këtë vit festuam 35-vjetorin e botimit të tij në Tiranë, ndërsa tani po përkthehet edhe në Kanada dhe në Itali. Pra, ka qenë një libër shumë i suksesshëm për lexuesin.

Edhe unë e dua shumë, por si autore kam dashur më tepër “Engjëj të armatosur”, sepse e konsideroj një vepër që përfaqëson më shumë pjekurinë time artistike. Por pastaj ndodh diçka interesante: nuk e kupton gjithmonë se si perceptohet një vepër nga lexuesi. Pëlqimi i autorit dhe pëlqimi i lexuesit nuk janë domosdoshmërisht të njëjta. Në fund, është lexuesi ai që e përcakton se çfarë mbetet dhe çfarë vazhdon të lexohet.

Portalb.mk: Nga gazetaria dhe letërsia kaluat edhe në politikë. Çfarë ju shtyu të hynit në këtë arenë dhe sa ju ndihmoi përvoja si gazetare e shkrimtare për ta kuptuar më mirë shoqërinë?

Diana Çuli: Në fillim të viteve ’90 u përfshiva në lëvizjen e grave. Deri atëherë, në vendin tonë nuk kishte pasur asnjë lloj shoqate të pavarur. Shoqata e grave, Bashkimi i Grave të Shqipërisë, siç quhej, ishte e varur nga shteti.

Kështu që ne filluam të organizoheshim. Ishim një grup grash që donim të krijonim shoqata sipas modelit perëndimor, të cilat do të luftonin për të drejtat e grave. Dhe kështu u përfshiva në këtë lëvizje.

Madje, në ato vite krijuam edhe Rrjetin Ballkanik të Grave. Erdhëm edhe këtu, në Shkup, ku na ndihmoi shumë zonja Gjylimsere Kasapi, e cila na dha një mbështetje të madhe. Krijuam grupin edhe këtu në Shkup, pastaj shkuam edhe në vende të tjera të Ballkanit dhe zhvilluam së bashku aktivitete vërtet shumë interesante.

Në atë kohë, partneret tona perëndimore-franceze, italiane dhe amerikane-na thoshin: “Ju duhet të luftoni për këto të drejta, sepse ligjet po fillojnë të ndërtohen nga e para”. Nuk dihej se si do të kalonte një shtet nga ekonomia shtetërore drejt pronës private dhe ekonomisë së tregut, si do të hartoheshin ligjet dhe si do të përcaktohej barazia e grave dhe burrave, por edhe e fëmijëve, në këtë situatë të re.

Ato na thoshin se një pjesë prej nesh duhej të hynte në politikë. Nuk duhej të luftonim vetëm nga jashtë, sepse duhej të bëheshim pjesë e establishmentit dhe të lobonim edhe nga brenda. Dhe kjo ishte e vërtetë. Shumë prej nesh u futën në politikë.

Ne kemi qenë shtatë-tetë gra nga shoqëria civile që u përfshimë në politikë. Në ato vite arritëm të miratonim ligjin për kuotën prej 30 për qind. Për shembull, vajzat dhe gratë gazetare që punonin në televizion nuk merrnin sigurime shoqërore, ndërsa burrat i merrnin. Arritëm të rregullonim shumë çështje me ligj në ato vite.

Unë them se ndoshta nuk isha shumë e përshtatshme për politikën, sepse doja t’i bëja gjërat e mia, por ato ishin vite me shumë sfida. Jam e kënaqur për atë që bëra në këtë drejtim, sepse arritëm të miratonim tre-katër ligje shumë të rëndësishme. Ndër to ishte edhe garantimi i të drejtave riprodhuese, të cilin e arritëm në ato vite.

Diana Çuli gjatë fjalimit të saj në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “PRO-ZA Balkan” në Shkup. Foto: International Literature Festival PRO - ZA Balkan (Facebook)
Diana Çuli gjatë fjalimit të saj në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “PRO-ZA Balkan” në Shkup. Foto: International Literature Festival PRO – ZA Balkan (Facebook)

Portalb.mk: Në vitin 2005, kur u bëtë deputete, në Kuvendin e Shqipërisë ishin vetëm 10 gra. Si e përjetuat, si grua dhe politikane, përballjen me një sallë të dominuar nga burrat dhe sa e vështirë ishte ta bënit zërin tuaj të dëgjohej?

Diana Çuli: Mendoni vetë: të ngriheshe në një podium dhe të shikoje përballë 120 burra. Kishte edhe diçka tjetër që më vinte në siklet. Unë nuk doja që të më thoshin se isha shkrimtare. Doja ta lija mënjanë këtë pjesë, sepse nuk të merrnin shumë seriozisht. Thoshin: “Çfarë po thotë kjo shkrimtarja? Përralla që bëjnë këto që shkruajnë libra”.

Dhe më duhej të studioja shumë, sepse Parlamenti ishte një përvojë e re për ne. Ishim një shoqëri e re dhe nuk kishim shumë përvojë në atë kohë. Parlamenti duhet të ketë juristë, sociologë dhe njerëz që dinë të punojnë me ligjet. Kështu që mua më duhej të studioja shumë përpara se të shkoja në komision, që ta kuptoja ligjin. Takohesha edhe me shoqe e shokë që e njihnin mirë atë fushë.

Ishte një ndërmarrje e vështirë, nuk ishte e lehtë. Por, nga ana tjetër, njoha një botë që nga jashtë dukej ndryshe. Aty brenda kuptova se kishte edhe njerëz shumë idealistë, që donin të rregullonin gjërat në Shqipërinë tonë të varfër, e cila sapo kishte dalë nga një regjim.

Kështu që ishte një përvojë interesante, por, nga ana tjetër, edhe shumë e vështirë, sepse duhej të luftoje me gjithë atë kulturë mashkullore. Nuk ishte e lehtë.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për të gjithë lexuesit tanë?

Diana Çuli: Mua më vjen mirë, sepse sa herë që vij në Shkup, gjej një atmosferë shumë mikpritëse për autorët dhe për shkrimtarët shqiptarë. Ne kemi miq e mike edhe mes lexuesve maqedonas dhe pritja e tyre ka qenë gjithmonë shumë e mirë.

Kjo marrëdhënie që ekziston në Shkup është, në të vërtetë, një shembull shumë i mirë për Ballkanin. Edhe ju, shqiptarët që jetoni këtu, jeni një komunitet i rëndësishëm. Vërtet na bëni krenarë me qëndrimet tuaja, me rezistencën dhe me kontributin që keni dhënë në këtë shtet, në të gjitha fushat.

Diana Çuli në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “PRO-ZA Balkan” në Shkup. Foto: International Literature Festival PRO - ZA Balkan (Facebook)
Diana Çuli në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “PRO-ZA Balkan” në Shkup. Foto: International Literature Festival PRO – ZA Balkan (Facebook)

 

Botë pas syve të mbyllur: U hap edicioni i 14-të i “PRO-ZA Balkan” në Shkup