Shqetësime për cilësinë e ujit edhe në Krushevë dhe Leshkë, Filipçe kërkon kontrolle në të gjithë vendin
Ndërsa Gostivari vazhdon të përballet me krizën e ujit të pijshëm dhe epideminë e gastroenteritit, shqetësimet për cilësinë e ujit janë zgjeruar edhe në qytete të tjera. Në Krushevë është konstatuar ujë bakteriologjikisht i papërshtatshëm për pije, ndërsa kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pretendon se ujë i pasigurt është regjistruar edhe në Spitalin për Sëmundje të Mushkërive në Leshkë, duke kërkuar kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha sistemet e ujësjellësit në vend, transmeton Portalb.mk.
Ndërmarrja Publike “Komuna” nga Krusheva, duke iu referuar informacioneve të marra nga Qendra për Shëndet Publik – Prilep, njoftoi se uji në Krushevë është bakteriologjikisht i papërshtatshëm, ndaj u rekomandon banorëve që për pije të përdorin ujë të ambalazhuar.
“Gjithashtu, gjatë analizave të burimeve publike të ujit te pompa e derivateve dhe te ‘Shën Petka’, mostrat e marra më 20 korrik kanë rezultuar bakteriologjikisht të papërshtatshme, prandaj këto burime nuk guxojnë të përdoren si ujë për pije”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.
Sipas NP “Komuna”, uji nga ujësjellësi i qytetit mund të përdoret për higjienë personale, përgatitjen e ushqimit, larjen e rrobave dhe enëve vetëm pasi të vlohet për të paktën 10 minuta.
“Gjithashtu, informojmë se uji klorohet rregullisht dhe çdo ditë kryhen kontrolle për praninë e klorit. Këto rekomandime do të mbeten në fuqi deri në marrjen e tre mostrave radhazi që rezultojnë të rregullta”, theksojnë nga ndërmarrja.
Nga NP “Komuna” shtojnë se Qendra për Shëndet Publik – Prilep do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente dhe do t’i informojë rregullisht banorët e Krushevës për zhvillimet e mëtejshme.
Në të njëjtën kohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, publikoi dokumente të Qendrës për Shëndet Publik – Tetovë, për të cilat tha se dëshmojnë se në Spitalin për Sëmundje të Mushkërive në Leshkë është konstatuar ujë i papërshtatshëm për pije.