Uji në Gostivar është 48 herë më i ndotur me baktere se vlera e lejuar, tre të arrestuarit nën hetim

Prokuroria Publike pasi sot heshti gjatë gjithë ditës pavarësisht interesit të publikut, mbrëmjen e sotme rreth orës 22 doli me informacione për situatën me epideminë e ndotjes së ujit në Gostivar. Nga aty njoftojnë se kanë filluar hetimet kundër tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Komunalec’ të cilët tani më janë të arrestuar. Ndërkaq, rezultatet e analizave tregojnë se në ujë ka 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit mbrëmjen e sotme nxori Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tre personave për Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, të shkaktuara me veprime të Ndotjes së ujit për pije.

“Të dyshuarit, si bashkëkryerës, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec” – Gostivar, udhëheqësit teknik të Sektorit për punë teknike dhe udhëheqësit të Departamentit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore në ndërmarrjen publike, me lëndë të dëmshme e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në hapsirën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe një pjesë të fshatrave përreth”, informoi Prokuroria.

Nga Prokuroria sqarojnë se tre të dyshuarit, më 25 qershor u kanë dhënë urdhra punonjësve të ndërmarrjes që të vendosin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor me lëndë të dëmshme, pranë hapsirës së tejmbushjes me ujë të pijshëm, me qëllim që të testojnë presionin e ujit.

Më 16 korrik, gjatë kryerjes së këqyrjes në vendin e ngjarjes, është konstatuar se dy nga pompat zhytëse ende ishin në përdorim dhe përmes gypave shtytës, të vendosur përmes hapjes së tejmbushjes, e transportonin ujin me lëndë të dëmshme – baktere koliforme, nga sistemi i hapur – kanali, në hapsirën ku ndodhet uji nga sistemi i ujit të pijshëm me cilësi të përcaktuar në mënyrë definitive, në sistemin e mbyllur”, thonë nga Prokuroria.

Më tej sqarojnë se në sistem ka ardhur deri te përzierja, përkatësisht transferimi i ujit me lëndë të dëmshme nga kanali në gypin kryesor të furnizimit me ujë.

Me urdhër të prokurorit publik, Instituti për Shëndet Publik ka kryer analiza të mostrave të marra nga uji sipërfaqësor i kanalit të hapur, me ç’rast është konstatuar se uji është shumë i ndotur dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim për shkak të pranisë së baktereve koliforme prej 2419,6 cfu/100 ml, krahasuar me maksimumin e lejuar prej 50 cfu/100 ml, ndërsa në mostrat e marra nga burimi i kaptuar është konstatuar se uji ka numër të rritur të kolonive bakteriale aerobike mezofile, si dhe prani të baktereve koliforme, ku sipas referencave duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë janë gjetur 39 cfu/100 ml. Për shkak të ndotjes së lartë, uji është bërë i papërdorshëm dhe nuk është i sigurt për përdorim dhe konsum nga ana e njerëzve.

Gjithashtu është analizuar një mostër e marrë nga një çezmë në rrugën JNA në Gostivar, ku është konstatuar se në ujë ka prani të lartë të klorit, përkatësisht përqendrim të klorit rezidual prej 1,1 mg/l, që paraqet devijim nga vlera maksimale e lejuar sipas rregullores në fuqi, ku është përshkruar diapazoni prej 0.2 deri në 0.3 mg/l, por jo më shumë se 0.5 mg/l.

Duke pasur parasysh se ndryshimet e shkaktuara nga ndotja nuk mund të eliminohen lehtë, prokurori publik vlerësoi se janë plotësuar elementet që japin dyshim të bazuar se është kryer vepra penale e lartpërmendur.

“Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit vazhdon të ndërmarrë veprime hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Të dyshuarit janë privuar nga liria dhe gjatë ditës së nesërme prokurori publik do të vendosë nëse dhe çfarë masash për sigurimin e tyre do t’i propozojë gjykatës”, informoi Prokuroria.

Sot më herët gjatë ditës, Policia ka arrestuar drejtoreshën e NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani. Bashkë me të janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtor të saj, drejtori teknik, Leon Nuredini dhe përgjegjësi i ujësjellësit, Vadedin Dervishi.

Ndryshe, në Gostivar është shpallur epidemi të problemeve gastrointestinale, pasi numri i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim vazhdon të jetë i lartë. Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar janë regjistruar mbi 1500 pacientë, ndërsa në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar mbi 1300 pacientë.

Pak ditë më parë, inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.