Mjekët amë në RMV do të mund të caktojnë termine te specialistët vetëm kur pacienti është i pranishëm
Drejtoria për Shëndetësi Elektronike u ka kërkuar mjekëve amë të ndalojnë caktimin automatik të termineve për kontrolle specialistike përmes softuerit dhe t’i rezervojnë ato vetëm kur pacienti është fizikisht i pranishëm në ordinancë, njofton Veçer Press.
Nga Drejtoria thonë se ky vendim është marrë pas konstatimit të parregullsive në mënyrën e deritanishme të caktimit të termineve, për shkak të të cilave humbnin shumë termine dhe krijohej qasje e pabarabartë e pacientëve në kontrollet specialistike.
Në shkresën drejtuar mjekëve të zgjedhur kërkohet që brenda 15 ditëve të hiqet mundësia për krijimin dhe rezervimin automatik të udhëzimeve përmes listave të brendshme të pacientëve.
Nga Drejtoria theksojnë se udhëzimi duhet të krijohet dhe të lëshohet vetëm në momentin kur pacienti është i pranishëm në ordinancë.
“Të gjithë mjekët e zgjedhur obligohen që menjëherë pas pranimit të kësaj shkrese të ndalojnë përdorimin e kësaj funksionaliteti dhe caktimi i termineve të bëhet vetëm në momentin kur pacienti është i pranishëm dhe kur mjeku e krijon dhe e lëshon drejtpërdrejt udhëzimin”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.
Nga Drejtoria paralajmërojnë se pas skadimit të afatit do të kryejnë kontrolle, ndërsa nëse konstatohen parregullsi te ndonjë mjek, atij do t’i pezullohet përkohësisht qasja në sistemin “Termini Im”.
Vendimi ka shkaktuar reagime te një pjesë e mjekëve amë, të cilët vlerësojnë se heqja e rezervimit automatik të termineve do të krijojë barrë shtesë administrative.
“Do t’i kalojmë pacientët nga lista elektronike në fletore. Do të mbajmë lista me dorë. Çdo ditë do të kërkojmë manualisht, një nga një, nëse është liruar ndonjë termin për pacientin. Do të presim të hapet ndonjë vend dhe do të garojmë me shpejtësi për ta zënë para se të zhduket. Kjo nuk është digjitalizim. Kjo është kthim prapa”, tha specialistja e mjekësisë familjare, Daniela Nikollovska.