Shporta minimale sindikale për muajin maj në RMV është 68.743 denarë

Vlera e shportës minimale sindikale për majin 2026 në Maqedoni arrin në 68.743 denarë, njoftoi Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Kjo përfaqëson një rënie të lehtë prej 54.00 denarë krahasuar me muajin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të publikuara, struktura e shpenzimeve mujore për një familje përfshin pjesën më të madhe për ushqim dhe pije, pra 25.475 denarë ose 37 përqind.

Kur bëhet fjalë për kostot e një apartamenti me qira prej 60 metrash katrorë, shporta minimale sindikale e konsumit për majin rritet në 84.117 denarë.

Përndryshe, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Punës me protestë. Ata nën sloganin “Për rroga luftojmë, nuk lutemi” kërkuan kushte dhe rroga më të mira.

“Për fat të keq, 260 mijë punëtorë jetojnë me një pagë më pak se 600 euro, dhe vetëm disa mijëra njerëz dolën në protestë më 1 maj”, tha kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, duke shtuar se “një numër i madh punëtorësh po vdesin në vendet e tyre të punës sot. Ata nisen për në punë në mëngjes dhe nuk kthehen në mbrëmje. Dhe askush nuk po bën asgjë për t’i mbrojtur ata”.

Ashtu si ishte planifikuar, protesta filloi nga objekti i LSM-së, ndërsa mbaroi para objektit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Kërkesa kryesore e sindikalistëve është rroga minimale të jetë 600 euro.