Shpikën kriter shtesë, u anulua konkursi për rektor të UT-së, Inspektorati konstatoi shkelje ligjore

Dhjetë ditë pas shpalljes u anulua konkursi publik për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tetovës (UT). Kjo vjen pasi opinioni mësoi shkeljet në këtë konkurs në lidhje me vendosjen e kritereve shtesë favorizuese/diskriminuese të cilat nuk ishin të parapara në Ligjin për Arsimin e Lartë, por as edhe në vetë statutin e këtij universiteti. Shkeljet janë konstatuar edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit. Pavarësisht kësaj, nga UT-ja thonë se anulimi i konkursit është bërë që procedura të kryhet pa presion nga publiku dhe palët e treta të cilat sipas këtij universiteti njollosin atë dhe janë me qëllime të fshehta. Për këtë rast Portalb.mk sjell detajet se çfarë ndodhi që nga publikimi i konkursit e deri te anulimi i të njëjtit dhe hapat e mëtejshëm.

UT-ja publikoi konkurs për zgjidhjen e rektorit duke shkelur ligjin dhe me kritere favorizuese

Me 18 maj 2023 Universiteti i Tetovës shpalli konkurs publik për zgjedhjen e rektorit të këtij universiteti për mandatin 2023-2026.

Krahas dy kritereve të parapara në Ligjin për arsimin e lartë dhe Statutin e këtij universiteti të cilat janë se kandidatët për rektor duhet të jenë shtetas të RMV-së dhe të jenë profesorë të rregullt (ordinar), UT-ja kishte vënë edhe kusht shtesë që kandidatët të kenë më së paku 15 vjet përvojë pune si kuadër mësimor.

Konkursi për zgjedhjen e rektorit në Universitetin e Tetovës
Konkursi për zgjedhjen e rektorit në “Universitetin e Tetovës” – Tetovë

 

Ky kriter shtesë është në kundërshtim me Ligjin për arsim të lartë ndërkaq në Statutin e UT-së fare nuk parashihet. Ky kriter është favorizues për disa kandidatë dhe diskriminuese për disa të tjerë.

Ligji për arsimin e lartë në nenin 97 paragrafi 3 thotë se “Rektori zgjidhet nga radhët e profesorëve të rregullt me publikimin e shpalljes publike”.

Ndërkaq në nenin 13 të këtij ligji thuhet “procedura për zgjedhjen e rektorit rregullohet me statutin e universitetit”.

Statuti i UT-së në nenin 99 paragrafi 3 thotë se “rektori zgjidhet nga radhët e profesorëve ordinarë me publikimin e shpalljes publike”, duke mos theksuar kritere shtesë.

Ndërkaq në nenin 103 të Statutit thuhet se “zgjedhja e rektorit bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me Ligjin për arsimin e lartë”.

Nga Universiteti i Tetovës u arsyetuan se kriteri shtesë është vendosur nga ana e Senatit të Universitetit me të drejtë autonomie për të vendosur në bazë të kompetencave autonome universitare në vendimmarrjen e pavarur.

Mirëpo, kjo është e përcaktuar me Ligjin për arsim të lartë, me të cilin rregullohet edhe autonomia.

Konkretisht neni 9 paragrafi 4 i Ligjit për arsim të lartë thotë se “autonomia në menaxhimin me institucionet e arsimit të lartë shprehet në zgjedhj3, emërim dhe revokim të organeve në pajtim me ligjin, statutin dhe aktet tjera të përgjithshme”.

E njëjta thuhet edhe në nenin 9 paragrafi 4 të Statutit të UT-së. Konkretisht: “autonomia në menaxhim shprehet me zgjedhjen, emërimin dhe revokimin e organeve në pajtim me ligjin, statutin dhe aktet tjera të përgjithshme”.

Portalb.mk kontrolloi konkurset e fundit për rektor në universitetet publike në vend si “Shën Kirili dhe Metodi”, “Nënë Tereza”, “Shën Klimenti i Ohrit” dhe universitetin publiko-privat UEJL. Në asnjërin konkurs nuk figuronte ndonjë kriter i tillë shtesë, dy kriteret kryesore janë që kandidati të jetë shtetas i RMV-së dhe profesorë të rregullt.

Forumi për Ndryshime në Arsim që në fillim alarmoi se konkursi është në kundërshtim me ligjin

Blendi Hodai, drejtor i Forumit për Ndryshime në Arsim javën e kaluar për Portalb.mk tha se janë duke monitoruar procedurat për zgjedhjet e rektorit në dy universitetet “Shën Kirili dhe Metodi” dhe “Universitetin e Tetovës”. Ai theksoi se ky kriter shtesë i vendosur në konkursin për rektor të UT-së është i kundërligjshëm.

“Në konkursin për rektor në UT është kundërthënës me ligjin për arsimin e lartë dhe statutin e universitetit. Kriteret e ngjashme, janë tendencioze dhe synojnë pamundësimin e kandidimit të interesuarve tjerë për pozitën e rektorit. Universitet nuk janë institucione ligjvënëse dhe legjislative, pra nuk munden të sjellin norma juridike, por duhet vetëm ti respektojnë të njëjtat”, tha Hodai.

Zgjedhjet për rektor, sipas tij janë një pjesë tejet e rëndësishme që diktojnë të ardhmen e Universiteteve, pasi të njëjtit luajnë një rol të veçantë në funksionimin e Universiteteve dhe cilësinë e arsimit.

“UT tash e disa vite gjendet në një mesjetë të dytë: i mbyllur ndaj opinionit publik dhe me shumë parregullsi në vetë funksionimin e saj. Vetë fakti që në UKM ka 6 kandidatë për rektor ndërkaq në UT secili intelektual e profesor ka frikë të kandidojë, tregon për gjendjen totalitare të universitetit. Në fund, do të kemi një proces zgjedhor post-festum për zgjedhjen e rektorit, ku do të sakrifikohet dikush për hir të demokracisë”, tha Hodai.

Inspektorati Shtetëror i Arsimit kreu mbikëqyrje të jashtëzakonshme, konstatoi shkeljet në konkurs dhe jo vetëm

Inspektorati Shtetëror i Arsimit njoftoi për Portalb.mk se ka kryer mbikëqyrje inspektuese të jashtëzakonshme me datë 22.05.2023, lidhur me  dyshimet për parregullsi gjatë zgjedhjes së rektorit në Universitetit shtetëror të Tetovës,

“Lidhur me parregullsitë e konstatuara nga mbikëqyrja e jashtëzakonshme inspektuese, në pajtueshmëri me kompetencat tona ligjore është njoftuar edhe institucioni kompetent për procedurë të mëtutjeshme. Procesverbal për parregullsitë e konstatuara nga mbikëqyrja e jashtëzakonshme inspektuese për zgjedhjen e rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në pajtim me kompetencat ligjore të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, i është dorëzuar edhe ministrit të arsimit dhe shkencës për njoftim, kompetencë dhe veprim, në pajtim me nenin 202 dhe 203 të Ligjit për arsim të lartë”, thanë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

raportin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në lidhje me kriterin për përvojën 15 vjeçare të kandidatëve thuhet se “është konstatuar që në Ligjin për Arsim të lartë dhe Statutin e universitetit askund nuk qëndron se duhet të ketë të paktën 15 vjet përvojë pune si kuadër”.

Përveç konkursit të fundit, u konstatuan edhe shkelje të tjera

Ndërkaq, janë konstatuar edhe shkelje të tjera në lidhje me shpalljet e konkurseve për rektor nga ushtruesit e detyrës, konkretisht tre ushtrues detyre nuk kanë filluar procedurë në afat prej 30 ditëve nga emërimi i tyre dhe as senati nuk ka ngritur procedurë në afat prej 30 ditëve.

“Është konstatuar se nuk është respektuar neni 100 paragrafi 3 dhe 4 i Ligjit për arsimin e lartë”.

Paragrafi 4 i nenit 100 të këtij ligji thotë kështu:

“Më së voni 30 ditë nga dita e zgjedhjes së ushtruesit të detyrës rektor nga paragrafi (2) i këtij neni, ngrihet procedura për zgjedhjen e rektorit.”

Ky konkurs është dashur të përfundojë dy vite më parë. Por, konkursi në vitin 2021 nuk u shpall. Ushtrues detyre i rektorit u caktua Reshat Qaili, por ai në këtë detyrë për gjashtë muaj nuk shpalli konkurs për rektor. Më pas, në këtë detyrë në maj 2022 si u.d erdhi Vullnet Ameti i cili nuk shpalli konkursin brenda 30 ditëve të parapara si në ligj. Ndërsa së fundmi nëntorin e vitit 2022 në këtë detyrë si u.d erdhi Kushtrim Ahmeti i cili njëjtë nuk publikoi shpalljen për zgjedhjen e rektorit në afat prej 30 ditëve.

U anulua konkursi, do të shpallet konkurs i ri

Pas gjithë kësaj, UT-ja vendosi të anulojë konkursin me arsyetimin se palët e treta njollosin integritetin institucional me qëllime të fshehta

Ndonëse dje ishte paraparë të përfundonte konkursi, i njëjti u anulua. Do të shpallet konkurs i ri i cili nuk do të ketë kritere favorizuese dhe diskriminuese si ai paraprak, por do t’i përmbahet “fjalë për fjale” Ligjit për arsim të lartë.

“Senati i Universitetit të Tetovës mbajti seancë më 29 maj 2023 dhe mori vendim për anulimin e konkursit publik për zgjedhjen e rektorit, të shpallur më 18.5.2023 dhe solli vendim për shpalljen e konkursit të ri për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tetovës për periudhën kohore 2023-2026. Arsyet pse është marrë një vendim i tillë janë vetëm për faktin se procedura për zgjedhjen e rektorit duhet të kryhet pa presion nga publiku dhe palët e treta, gjë që njollos integritetin institucional të Universitetit dhe lë vend për qëllime të fshehta”, informoi Universiteti i Tetovës.

Nga atje theksuan se Senati ka të drejtë kushtetuese, ligjore dhe statutore për autonomi në marrjen e vendimeve në lidhje me zgjedhjen e rektorit, në këtë rast kjo është e përcaktuar qartë me nenin 9 paragrafi (4) të Ligjit për arsimin e lartë dhe nenin 9 paragrafi (4) të Statutit të Universitetit të Tetovës, për arsyen e cekur më lart, u vendos që kriteret që do të përmbahen në konkursin e ri publik do të jenë vetëm ato që citohen fjalë për fjalë në ligj.

Autonomia është e përcaktuar edhe në Ligjin për arsimin e lartë si dhe në Statutin e UT-së.

Konkretisht neni 9 paragrafi 4 i Ligjit për arsim të lartë thotë se “autonomia në menaxhimin me institucionet e arsimit të lartë shprehet në zgjedhj3, emërim dhe revokim të organeve në pajtim me ligjin, statutin dhe aktet tjera të përgjithshme”.

E njëjta thuhet edhe në nenin 9 paragrafi 4 të Statutit të UT-së. Konkretisht: “autonomia në menaxhim shprehet me zgjedhjen, emërimin dhe revokimin e organeve në pajtim me ligjin, statutin dhe aktet tjera të përgjithshme”.

Portalb.mk kontaktoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me këtë rast dhe për veprimet e mëtejme nga ana e tyre dhe e ministrit konkretisht, nga atje u përgjigjën kështu:

“Sipas informacioneve që i kemi nga Universiteti i Tetovës është anuluar konkursi paraprak për rektor në Universitetin e Tetovës gjithashtu ne si ministri sikurse në universitetet tjera po ashtu edhe në UT nuk do të ndikojmë në procesin e zgjedhjes së rektorit të ri. Ndërsa sa i përket Inspektoratit Shtetëror të Arsimit me Universitetin e Tetovës  janë dhe do të jenë në komunikim të vazhdueshëm, do të ndiqet çdo veprim nga ana e Universitetit për të pasur proces të drejtë dhe të respektohen të gjitha dispozitat ligjore.”

Përndryshe, universiteti më i madh në vend “Shën Kirili dhe Metodisot zgjedh rektorin e ri. Në garë janë gjashtë kandidatë. Emri i rektorit të ri të këtij universiteti do të mësohet sot deri në fund të ditës. Mandati i rektorit të ri do të jetë nga data 16 shtator 2023 deri më 15 shtator 2026.