MPB në koordinim me ambasadën e ShBA-së zhvilloi stërvitjen taktike “Mjellma 2023”

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në koordinim me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, ka realizuar sot stërvitjen taktike “Mjellma 2023”, transmeton Portalb.mk.

Kjo, siç theksoi shefi i policisë, Oliver Spasovski, është edhe një konfirmim i miqësisë dhe partneritetit të ndërsjellë të vendit dhe SHBA-së, por edhe për kontributin që Maqedonia ka në Aleancën e NATO-s.

“E vlerësojmë fuqishëm mbështetjen që partneri ynë kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na japin përmes Ambasadës Amerikane në të gjitha proceset që nënkuptojnë shtet të sigurt dhe të avancuar, veçanërisht në proceset integruese evropiane”, ka shkruar Spasovski në një postim në Facebook në lidhje me stërvitjen taktike.

Në postim, Spasovski theksoi se miqësia mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së është garanci për stabilitetin jo vetëm të vendit, por edhe të rajonit.

“Me këtë partneritet, me vendimet e guximshme shtetërore me të cilat mbrojtëm identitetin kombëtar dhe me politikat funksionale të dialogut dhe mirëkuptimit, sot Republika e Maqedonisë së Veriut është faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon dhe Evropë”, shton Spasovski.

Në postimin në Facebook, ministri e falënderon ambasadoren Ageler për mbështetjen e vazhdueshme në bashkëpunimin e ndërsjellë, i cili, garanton Spasovski, do të vazhdojë me të njëjtin intensitet.

Kujtojmë se më 22 maj, në poligonin ushtarak “Krivolak” u zhvillua stërvitja “Përgjigje e shpejtë 23”, e cila është pjesë e stërvitjes më të madhe shumëkombëshe në Evropë për këtë vit “Defender Europe 23”, e cila do të zgjasë deri më 2 qershor.

“Përgjigje e shpejtë 23” realizohet në tetë vende të rajonit, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Kosovën, Bullgarinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Slloveninë.

Ushtria e Maqedonisë së Veriut me rreth 130 pjesëtarë do të marrë pjesë në zbatimin e kësaj stërvitje në Gjermani, Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Shqipëri.