RMV, deri 5 mijë euro mbështetje financiare për shkollat dhe institucionet tjera për projekte ndëretnike

Shkollat publike, fakultetet për trajnimin e mësimdhënësve, fakultetet pedagogjike dhe komunat do të mund të përfitojnë deri 5 mijë euro nga thirrja e dytë e Misionit të OSBE-së në Shkup. Mjetet janë të dedikuara për fondin e arsimit të integruar, transmeton Portalb.mk.

“Objektivi i përgjithshëm i Fondit për Arsim të Integruar është forcimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe kohezionit social brenda mjediseve shkollore përmes rritjes së praktikave të integruara arsimore dhe shkëmbimeve ndërkulturore”, thuhet në Konkurs.

Periudha e zbatimit të projekteve duhet të jetë prej qershorit të këtij viti deri në qershor të vitit të ardhshëm. Afati për aplikim do të jetë deri më 30 prill.

“Aplikantët do të informohen me e-mail për vendimin e Bordit këshillues të fondit NUR në lidhje me aplikimin e tyre. Nëse aplikimi miratohet me kusht, aplikantët do të marrin komentet dhe rekomandimet e Bordit mbi atë se si ta rishikojnë aplikimin. Nëse kërkesa refuzohet, aplikanti do të marrë arsyetimin për vendimin negativ”, sqarohet në Konkurs.

Kushtet dhe kriteret për aplikim janë paraqitur KËTU.