Shkurt dhe qartë

Ambasadorët perëndimorë tradicionalisht kanë qenë tepër të matur me deklaratat e tyre në raport me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Këtë qëndrim e shfrytëzuan politikanët lokalë që thirreshin në “përkrahjen perëndimore”, kurse më vonë, që të shfajësohen, filluan ta fajësojnë edhe BE-në. Por duket se durimit të diplomatëve i vjen fundi. Ata janë më të drejtpërdrejtë dhe e shprehin haptas zhgënjimin e vendeve të tyre me politikanët dhe OJQ-të lokale.

Ambasadori holandez në Shkup, Dirk Jan Kopp, në intervistën për radion “Europa e Lirë”, pyeti: “Si është e mundur që një politikan si presidenti rus Vladimir Putin të jetë figura më e popullarizuar në Maqedoninë e Veriut?”. Pyetja e tij qartëson gjithçka.

Ai tha se faji për ngecjen e procesit të integrimeve europiane nuk është i BE-së; se në Maqedoninë e Veriut s’ka vullnet të vërtetë politik për ndryshime; se për shkak të korrupsionit dhe nepotizmit janë bllokuar të gjitha proceset; se shtetet tjera, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, i bënë reformat e nevojshme dhe tani janë pjesë e BE-së.

“Çfarë bëni ju, përveçse gjeni justifikime për t’i përmbushur kërkesat e anëtarësimit? Pse nuk i përfunduat reformat tuaja 15 vjet më parë si vendet tjera? Dëgjoj se është faji i Bashkimit Europian; se anëtarësimi është përgjegjësi e përbashkët dhe se u mbajmë në pritje një kohë të gjatë. E vërteta është se anëtarësimi është përgjegjësia juaj dhe ju na mbani në pritje shumë gjatë. Pas dekadash mbështetjeje të jashtëzakonshme, ku kanë shkuar paratë e taksapaguesve tanë?”, citohet të ketë thënë ambasadori Kopp. Sipas tij, me këto veprime politike në RMV, europianëve sikur u jepet mesazhi: “Ne i duam paratë tuaja, por s’i duam vlerat tuaja”.

Ambasadorët vetëm me kësi diskursi mund t’ua bëjnë të qartë qytetarëve se politikanët e këtushëm nuk janë aq të adhuruar në qarqet diplomatike, siç propagandojnë mediet partiake.

Përse nuk përfundojnë reformat e nisura kushedi se kur? Sepse këtu askush nuk i do reformat. Me reforma nënkuptohen ndryshimet e ligjeve, por jo edhe zbatimi i tyre në praktikë.

Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në BE-së. Përndryshe, siç tha edhe ambasadori, do të krijohen vetëm vende të varfra, me fshatra bosh, ku do të mbeten vetëm të moshuarit, sepse pjesa tjetër do të emigrojë.

Për ambasadorin “kjo nuk është përrallë”. Përralla janë deklaratat e politikanëve lokalë, të cilët kudo e përsëritin refrenin se angazhohen për integrimin europian, por e bëjnë të kundërtën e asaj që e thonë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.