Shkupi në vendin e tretë në botë, Sarajeva në vend të parë për ajër të ndotur

Sot në mëngjes, para orës 10:00, faqja Airvisual e vendosi Shkupin në vendin e tretë në botë, si qytet që thith ajrin më të ndotur në botë. Me indeks prej 231 njësi, Sarajeva është qyteti me ajrin më të ndotur. Ngjitja e Shkupit në listën e 100 qyteteve të mëdha apo kryeqyteteve të Airvisual ka nisur mbrëmë dhe vazhdimisht është në mesin e dhjetë qyteteve për nga cilësia e dobët e ajrit, e cilësuar si jo e shëndetshme, transmeton Portalb.mk.

Në Manastir dhe Sarajevë, kryeqyteti i Bosnje-Hercegovinës, ajri përkufizohet si shumë i pashëndetshëm. Waqi.info, ajrin në Strumicë e cilëson si shumë të pashëndetshëm. Ajri i pashëndetshëm është edhe në Tetovë, Kërçovë dhe Kavadar.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) dje ka informuar se në Shkup është tejkaluar kufiri i lejuar i grimcave PM10 në ajër dhe se rekomandimet e Dekretit për vlerat kufitare për nivelet dhe llojet e substancave ndotëse në ajër dhe pragjet e alarmit kanë hyrë në fuqi.

Ministria nuk raporton apo matë grimcat PM2.5 përqendrimi i të cilave është më i lartë në krahasim me grimcat PM10. Të njëjtat masa janë hequr edhe për Kërçovën këto ditë pasi masat kanë qenë në fuqi për tre ditë për shkak të koncentrimit të lartë të grimcave PM10.

Ndryshe në Maqedoni ka 3.828 vdekje në vit që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM2.5, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë totale në vend, sipas raportit të fundit të titulluar “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet shëndetësore”, e cila është përgatitur nga Instituti i Shëndetit Publik (IShP).